Komisioni Shtetëror ka publikuar draft-raportin e parë rreth gjetjeve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili është në një vijë me marrëveshjen e Qeverisë për shënimin e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore. Aty konfirmohet se Kosova nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Komisioni ka konstatuar se në gjithë dokumentacionin e konsultuar del se Çakorri dhe Bjelluha i takojnë Malit të Zi.
Por me raportin e Komisionit nuk janë pajtuar dy anëtarët e tjerë, Agron Luta dhe Faruk Bojaxhiu, të cilët kanë paralajmëruar se nuk do të vënë nënshkrimet mbi dokumentin final. Ndërkaq një ditë para publikimit të raportit anëtari tjetër, Fitim Humolli, ishte dorëhequr me arsyen se ky komision është krijuar për t’u shërbyer agjendave politike. Përfshirë Humollin, Komisioni përbëhet nga 12 anëtarë. Tashmë 3 prej tyre kundërshtojnë raportin e prezantuar.