Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha se pa e dhënë dritën jeshile opozita ose Lista Serbe nuk do të mund të miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.
Ai ka thënë se në mungesë të votave të opozitës dhe Listës Serbe, ata si koalicion qeverisës nuk i kanë votat e nevojshme.
“Ne kemi edhe disa deputetë nga radhët e koalicionit qeverisës që e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje. Por, Qeveria e Kosovës e ka iniciuar themelimin e një komisioni profesional për zgjidhjen e demarkacionit. Në këtë komision do të marrin pjesëtarë të pozitës dhe opozitës, tre ekspertë ndërkombëtarë dhe një përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA ) – në Prishtinë, një i Bashkimit Evropian (BE) dhe një i KFOR-it”, ka shtuar Gecaj.
Gecaj për telegrafin tha se kanë kërkuar nga opozita, e cila nuk i është përgjigjur ende ftesës që në këtë komision të ketë ekspertë dhe jo politikanë, duke shtuar se “takimi i parë pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme”.
Propozimi për themelimin e Komisionit profesional ka ardhur ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ndryshe, për më tepër se një vit nuk ka mundur të kalojë në Kuvend Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, në versionin të cilin e ka propozuar Qeveria e Kosovës.