Anëtarëve të Komisionit Parlamentar, të cilët po merren me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në mars të këtij viti, u ka përfunduar mandati pa arritur ta përfundojnë raportin për këtë çështje.
Madje ata përgjatë katër muajve, prejse kanë nisur punën, nuk kanë arritur ta marrin në pyetje as presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, i cili ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së këtij Komisioni, duke u arsyetuar me vizitat jashtë vendit
Anëtarët e këtij Komisioni kanë thënë se po kërkojnë mandat shtesë për ta përfunduar draftraportin në lidhje me dëbimin e gylenistëve.
“Ne ishim në fazën finale të raportit, por me insistimin më shumë të partive në pushtet kemi kërkuar edhe një muaj kohë shtesë për përfundimin e punës së këtij Komisioni. Kërkesën tonë e kemi drejtuar në Kryesi. Pavarësisht se kemi qenë në fazën finale që javën e kaluar ta publikojmë raportin, me kërkesë të partive në pushtet u detyruam që ta shtyjmë edhe për një muaj. Unë mendoj që deri nga mesi i muajit shkurt 2019 do ta kemi raportin”, ka thënë për “Zërin” Driton Selmanaj, anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar.