Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) miratoi sot Projekt-Raportin e Vendit të përgatitur nga eurodeputeti austriak Thomas Weitz me 40 vota pro, 19 kundër dhe 10 abstenime. Pas miratimit të dokumentit, Weitz shprehu kënaqësinë e tij që ai ishte votuar nga një shumicë e gjerë politike.
“Jam krenar për gjithë punën e madhe që u bë për të gjetur kompromise në mënyrë që të mund ta miratonim këtë raport të ekuilibruar mirë me një shumicë të gjerë politike. BE-ja duhet të mbetet e bashkuar me fqinjët e saj në peizazhin sfidues gjeopolitik me të cilin përballemi. Maqedonia e Veriut i përket BE-së. Pas 20 vitesh negociatash, ne duhet të ruajmë momentumin e mirë aktual për të çuar më tej procesin e zgjerimit”, tha Weitz.
Grupi i Partive Popullore Evropiane kishte paraqitur më parë një amendament sipas një procedure të shkurtuar për të futur fjalën “bashkëkohor” para gjuhës dhe identitetit maqedonas në Raport, por në përputhje me Rregulloren e Punës, ai nuk u vu në votim sepse të paktën gjashtë anëtarë të AFET votuan kundër një propozimi të tillë. Rregullorja e Punës përcakton që një amendament i propozuar nuk do të vihet në votim nëse të paktën pesë eurodeputetë votojnë kundër propozimit.
Raporti tani do t’i paraqitet Parlamentit Evropian për votim gjatë seancës së ardhshme plenare. Seanca e ardhshme plenare e PE-së është planifikuar për 7-10 korrik në Strasburg.