Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, në një prononcim për Periskopin, ka bërë të ditur përfundimisht se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, ku në rend dite do të jetë marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kelmendi ka thënë se në seancën e sotme nuk do të mundet të marrë pjesë për shkak të një tretmani mjekësor që e ka të caktuar, pikërisht gjatë kohës që do të mbahet seanca.
“Në seancën e sotme nuk do të marrë pjesë për shkak të tretmanit mjekësor që e kam. Por, edhe nesër me u mbajt seanca, unë nuk do të marrë pjesë”, ka thënë Kelmendi për Periskopin.
Ai foli edhe për kërcënimet që thotë se i kanë marrë fëmijët e tij, nëse ai voton pro kësaj marrëveshje.
“Shpresoj se pozita do t’i ketë votat e mjaftueshme për ratifikimin e asaj marrëveshje. Unë kam arsyet e mia pse nuk marrë pjesë në seancë. Jam banor i Rugovës dhe po e shoh që edhe banorët e tjerë të Rugovës janë të shqetësuar për çështjen e kufirit, andaj ndaj shqetësimin me ta. Mua po më pengon ajo që u është thënë fëmijëve të mijë. Ata janë të kërcënuar nëse unë votoj pro Demarkacionit. Ky kërcënim ndaj familjarëve po më rëndon”, ka thënë Kelmendi përmes telefonit për Periskopin.
Lidhur me atë se nëse vota e tij bëhet shkak për bllokimin e sërishëm të marrëveshjes së Demarkacionit, Kelmendi thotë se është pjesë e opozitës dhe se nuk është obligim i tij që t’ua sigurojë votat pozitës.
“Unë jam në opozitë. Nuk e kam për detyrë me jua ba votat atyre. Ata vetë kanë premtuar se do t’i sigurojnë votat për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Me votën pro Demarkacionit, LDK po u bën shërbim qytetarëve që t’u mundësohet lëvizja e lirë, jo partive të koalicionit. Ky proces është bllokuar që tri vite”, ka deklaruar tutje Kelmendi.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të votojë pro Demarkacionit, por ka treguar se cili është kushti për këtë.
“Unë nuk do ta votoj këtë marrëveshje, derisa ta shoh që ata që i kërcënuar fëmijët e mijë, të ndërrojnë mendje. Të mos i kërcënojnë më dhe votën pro demarkacionit ta shohin si patriotizëm, jo si tradhti. Deri atëherë, unë nuk marrë pjesë në seancë”, shtoi Kelmendi për Periskopin.
Ai tregon se si ka marrë edhe kërcënime personale për çështjen e Demarkacionit.
“Unë e di kush më ka kërcënuar mua. E di kush më ka thanë mu. Por, nuk e di kush i ka kërcënuar fëmijët. Nuk e kam pyet djalin. Për kërcënimet ndaj meje unë kam folur edhe me institucione ndërkombëtare dhe u kam treguar se cila është arsyeja pse unë kam këtë qëndrim për Demarkacionin. Nuk duhet kërcënuar fëmijët, ja ku jam unë”, thotë deputeti i LDK’së.
I pyetur se nëse është konsultuar me partinë lidhur me vendimin e tij për mospjesëmarrje në seancë, Kelmendi thotë se nga partia ka kërkuar që të mos flasin në emër të tij.
“Nuk jam konsultuar me partinë, por u kam thënë që të mos flasin për mu, sepse nuk kam ndërruar qëndrim. Fëmijët e tyre banojnë në Prishtinë, nuk përballen me këto kërcënime. Por fëmijët e mijë janë këtu në Rugovë dhe nuk mundem ta rrezikoj jetën e tyre”, deklaroi Kelmendi.
Seanca për Demarkacionin do të mbahet sot duke filluar nga ora 16:00, ndërsa ende nuk dihet nëse do të hidhet në votim kjo marrëveshje, pasi nuk janë siguruar 80 votat e mjaftueshme./Periskopi