Një ndër problemet më të mëdha të Komunës së Prishtinës është çështja e pronave. Qindra hektar tokë komunale janë të uzurpuara, shumë tjerave nuk u dihet titullari. Gjykata komunale është e mbushur me raste të kësaj natyre.
Komuna e Prishtinës e ka të publikuar që një kohë listën e pronave komunale. Sipas kësaj liste, ish nënkryetari i Prishtinës, tash asamblist i LDK-së, Shefki Gashi e ka emrin tek personat që shfrytëzojnë pronën komunale pa kontratë me komunën, shkruan lajmi.net.
Sipas kësaj liste, 7000 metra katrorë tokë në Mramor të Prishtinës, me numër të ngastrës 2390-0 janë të uzurpuara nga Gashi.
Në këtë listë, po ashtu, janë paraqitet numri i ngastrave të evidentuara, hapësirës sipërfaqësore të tyre, numri i shfrytëzueseve që kanë poseduar parcelat, cilat janë evidentuar prona të lira, të shfrytëzueshme.
Shefki Gashi thotë se toka është trashëgimi familjare, dhe se, nuk e ka ndërmend që të heq dorë ndonjëherë nga ajo. Thotë se tokën ia mori ish-regjimi serb dhe ia regjistroi në Kadastrin e Prishtinës.
“Aty është një mal dhe një tok e ngjitur me tokën time. Edhe ajo është tok e ime, por atë ia kanë marr migjes në vitin 1947 edhe e kanë dënuar me pushkatim. Është vendimi, ka qenë arkiva aty kur i është marr toka Shemsi Hazirit dhe është dënuar me pushkatim. Atë vendim të atij gjyqi nuk e kamë pranuar asnjëherë, këta Shpendat e këta tjerët le ta pranojnë, por tokën ta harrojnë. Pra, ajo tokë nuk është e shfrytëzuar sepse është kiamet, një si kodër si livadh e nuk shfrytëzohet për asgjë, po është e imja. Këta në komunë i kanë letrat e tokës, por edhe un e kamë vendimin kur i është marrë toka migjes ne të 47-tën. Por është e imja, atë le ta harrojnë ata Shpendat a ata tjerët të bijtë e samës…”, tha Gashi për lajmi.net.
Ndonëse, thotë se është djerrinë, kjo hapësirë e madhe toke duket të ketë një çmim të mirë. Në deklarimin e pasurisë që Gashi e ka shpalosur në Agjencisë Kundër Korrupsionin, një hapësirë prej 7 h tokë e cila thotë se është e trashëguar nga prindi është paraqitur në vlerë prej 210 mijë euro.
Ndryshe, Shefki Gashi, karrierën politike e pati nisur në vitin 1999 ku bënte pjesë në këshillin politik të formuar nga ndërkombëtarët, e ku e udhëhoqi Prishtinën së bashku më aktorët tjerë të LDK-së e me të krahut të luftës për një vit. Në 2003 ishte emërua zëvendëskryetar i Komunës së Prishtinës për ta ushtruar këtë post për pesë vite.
Komuna e Prishtinës ka gjithsejtë 42 zona kadastrale, duke përfshirë edhe Prishtinën.
Evidentimi i cili nuk është i plotë i pronave komunale ka rezultuar me: sipërfaqe e tokës prej 2996 ha 49 ari 27 m2 dhe shfrytëzues të këtyre pronave janë evidentuar 6183 persona. /Lajmi.net/