Kredia 12-milionëshe e Agim Bahtirit nga Austria për ta mbështetur projektin: “Ndërtimi i kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës”, ka marrë dritën jeshile të këshilltarëve të Kuvendit të Mitrovicës, të martën, ndërsa për shkak se kompania holandeze “Green Soil Kosova”, e cila kishte siguruar se do të investonte 700 mijë euro për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e pemëve dhe të perimeve në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër, është tërhequr nga investimi, Kuvendi ia ka marrë rreth një hektar tokë në ZLE ekonomike që ia kishte dhënë në shfrytëzim.
Propozimi për të marrë 12 milionë euro kredi nga Austria për projektin: “Ndërtimi i kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës” dhe vendimi për shfuqizimin e vendimit për dhënie të tokës komunale në shfrytëzim kompanisë holandeze, janë miratuar pa votat e këshilltarëve të PDK-së, të cilët kanë lëshuar sallën pasi që nuk ka kaluar propozimi i tyre që pika për kredinë të hiqet nga rendi i ditës, shkruan sot Gazeta “Zëri“.
Këshilltarët komunalë të pozitës dhe të opozitës kanë debatuar më shumë se dy vetëm për rendin e ditës, pasi Grupi i Këshilltarëve të PDK-së pati dy propozime të reja lidhur me rendin e ditës.
Propozimi i parë i tyre ishte që nga rendi i ditës të hiqet krejtësisht propozim-vendimi për miratimin e vendimit për marrjen e kredisë pa interes (sipas marrëveshjes së lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë për projektin: “Ndërtimi i kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industriale në disa rrugë të Mitrovicës”, me arsyetimin se “duhet biseduar më gjerësisht për projektet që parashihen të realizohen me këtë kredi, andaj edhe duhen përgatitje më të mira dhe kjo mund të bëhet në mbledhjen e ardhshme”.