Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Veterinar, Sulejman Kullolli, ka konfirmuar për “News 24” rastin e parë të murtajës së bagëtive të imëta në Shqipëri, sëmundje që është identifikuar në një fermë dhish në njësinë administrative Postribë, në qarkun e Shkodrës.
Sipas Kullollit, rasti u raportua nga vetë fermeri më 3 qershor, ndërsa autoritetet veterinare ndërhynë menjëherë për të vendosur fermën në karantinë. Ai tha se ditën e sotme do të nisë eliminimi i krerëve të infektuar dhe izolimi i zonës në një rreze 3 dhe 10 kilometra përreth vatrës.
Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, është ndaluar çdo lëvizje e kafshëve brenda territorit të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.
Drejtori Kullolli theksoi se murtaja nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. “Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet, sidomos nëse gatuhen. Deri tani nuk ka konstatime për ferma të tjera të prekura, dhe shërbimi veterinar është në monitorim të vazhdueshëm,” u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje fermerëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se konstatojnë shenja të sëmundjes në kafshët e tyre.
Sulejman Kullolli, drejtor i përgjithshëm i shërbimit veterinar: Sic jeni në dijeni, për herë të parë në Shqipëri u shfaq murtaja në një fshat në Postrribë. Kjo sëmundje u njoftua nga fermeri më datën 3 qershor. Ferma është vënë në karantinë. Sot bëhet eliminimi i krerëve dhe do izolohet zona në 3 dhe 10 km. Ndalohet lëvizja e kafshëve brenda territorit pra në Shkodër dhe Malësi e Madhe nuk lejohet lëvizja e kafshëve kjo për të parandaluar vazhdimin. Kjo sëmundje prek të imtat por nuk kërcenon shëndetin e njerëzve. Nga monitorimi kishim një indicie dje në një tjetër zonë. Ne u paraqitem në fermë por nuk u konstatuan shenja të kësaj sëmundje. Me masat kufizuese, kanë dalë masat përkatëse dhe me institucione dhe po ndalojmë lëvizjen e kafshëve.
Kemi të bëjmë me një ferme të vogël dhe nuk ka dalë as mishi e as qumështi i saj nuk ka dalë në treg. Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet nëse zihet. Shërbimi veterinar ushtron kontrolle dhe nuk kemi konstatime për ferma të tjera. I bëj thirrje çdo fermeri që kur ka dyshime, menjeherë te lajmërojë sherbimin veteriner më të afërt.