Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri vendosi konfiskimin e pasurive të biznesmenit, Ylli Ndroqi (i njohur edhe me emrin Xhemail Pasmaçiu) mes të cilave edhe dy televizione, RTV ORA dhe TV Ora News.
Ndroqi në prill të këtij viti është shpallur person i padëshiruar (non grata) nga Shtetet e Bashkuara nën dyshimet për përfshirje në korrupsion.
Në mesin e 26 pasurive të konfiskuara janë edhe dy televizione, disa kompani, njësi tregtare, garazhe, troje dhe ara.
Në njoftimin e SHBA-së për shpalljen person i padëshiruar, thuhej se Ndroqi kishte qenë i përgjegjës ose i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në korrupsion.
Pasuritë e Ndroqit dhe familjarëve të tij ishin vënë nën sekuestrim nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë pas dy vendimeve në gusht 2020 dhe qershor 2021, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe ka vendosur kalimin e tyre të menjëhershëm në pronësi të shtetit.
Ndërkaq për pesë pasuri të tjera që përfshijnë dy apartamente, dy troje dhe një njësi shërbimi, Gjykata ka vendosur heqjen e masës së sekuestrimit.
Pas vendimit të marrë të enjten, më 3 nëntor, nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), TV Ora dhe pasuritë e tjera të familjes Ndroqi i kalojnë shtetit.
“Televizioni Ora është sot televizion i shtetit, në pronësi të tij, ashtu si dhe të gjitha pasuritë e tjera të Ylli Ndroqit”, tha avokati i Ndroqit, Besim Muçi, sipas të cilit vendimi është i padrejtë.
Edhe dy avokatët e tjerë të Ndroqit, Jordan Daci dhe Enis Daci e cilësuan vendimin si politik, duke shtuar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
Në korrik të 2020 kur SPAK nisi hetimin pasuror ndaj biznesmenit Ylli Ndroqi, deklaroi se është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar se ai ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në Ligjin anti-mafia.
Sipas SPAK Ylli Ndroqi është arrestuar në Turqi në vitin 1998 (në atë kohë mbante identitetin Xhemail Pasmaçiu) për trafik ndërkombëtar heroine dhe në 2006 është arrestuar në Itali si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
SPAK theksonte se të dhënat e Interpol Ankara dhe Interpol Roma kanë konfirmuar se Xhemail Pasmaçiu është i njëjti person me Ylli Ndroqin, identiteti i ri, që ai mori pasi vuajti dënimin në Milano dhe u kthye në Shqipëri. Në atë kohë SPAK kërkoi sekuestrimin e 26 pasurive të tij dhe familjarëve, pasuri të cilat këtë të enjte u konfiskuan.