Gazetare: Fatlume Dervishi
VLEN, pas moratoriumit të djeshëm thonë se tashmë veprojnë si një parti, shkruan Alsat.
Gjithsesi, në prag të zgjedhjeve, ata do të ruajnë formulimet e njëjta juridike, për të përfituar nga ajo që ua mundëson Kodi zgjedhor, pas rezultateteve të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“U konstatua që do të duhet të ruhet juridikisht subjektiviteti i tyre që të ruajmë të drejtat e fituara nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe në zgjedhjet lokale sigurisht se do të gjejmë model më të mirë të paraqitjes në zgjedhje”, tha Bilall Kasami, VLEN.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve paraprake, partive u takojnë shuma të caktuara nga buxheti për fushatën zgjedhore.
Kongresi i VLEN pritet të organizohet para zgjedhjeve kurse në të do të vërtetohen edhe kandidatët për kryetarë komunash dhe këshilltarë.
“Duke pasur parasysh faktin që jemi në zgjedhje lokale dhe nuk kemi kohë për të ndërtuar struktura lokale, degë dhe nëndegë, u konstatua që duhet të shkojmë me konstituimin e shtabeve lokale dhe komunale, pastaj pas zgjedhjeve ata do të jenë bazament i transformimit në degë dhe nëndegë të subjektit. U konstatua që duhet te kemi një dinamikë të ngritjes së këtyre strukturave duke përfshirë edhe idenë e një kongresi të përbashkët që besoj të jetë përsëri para zgjedhjeve ku do të merren vendime të përbashkëta sa i takon edhe programit zgjedhor me të cilin do të dalim në zgjedhje por edhe me kandidatët dhe gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet lokale”, u shpreh Bilall Kasami, VLEN.
VLEN ka thënë më herët që edhe kryetari i ardhshëm i partisë do të zgjidhet në kongres.
Një ditë më parë, koalicioni konstituoi kryesinë dhe vendosi moratorium për çdo aktivitet të posaçëm të partive që e përbëjnë koalicionin.
Partneri i deridjeshëm i koalicionit Arben Taravari, i cili kohë më parë vendosi të garojë me lista të veçanta, u dëshiron suksese.
“Ne ju urojmë suksese. Gëzohem që u bashkuan tre parti në një, uroj që të bëjnë rezultate sa më të mira. Vetëm këtë mundem ta them”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët./ Alsat.mk