Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka dënuar sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi, përderisa ka vlerësuar që politika e Vllasit gjatë periudhës së ish Jugosllavisë ka qenë e dëmshme për shqiptarët.
Politikanët e kësaj kohe Konjufca i dallon në ata që kanë treguar një lojalitet të skajshëm ndaj politikave që kanë qenë hegjemoniste e që kanë ardhur nga Serbia, dhe të tillë që po në të njëjtin sistem kanë mbështetë popullin.
“Azem Vllasi ka qenë figurë politike e rëndësishme që prej viteve 1970-ta, në krye të zhvillimeve politike, kur Kosova po përjetonte shtypje megjithatë edhe vëreheshin disa ndryshime pozitive. Vetë fakti që dikush e ka plagos nuk besoj që kjo na shtyn të jemi të mëshirshëm rreth politikës që ka udhëheq ai ndaj shqiptarëve. Njerëzit e asaj kohe kanë krijuar një rezistencë të mëshiruar për liri dhe republikë, mirëpo iu kanë kundërvu disa njerëz si Azem Vllasi të cilët janë udhëhequr me atë që ngritja në karriere ka qenë më e rëndësishme” ka thënë Konjufca në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.
“Unë i dalloj dy tipe të njerëzve në ish Jugosllavi. Njëri lloj ka menduar që në sistem duhet të tregoj lojalitet të skajshëm ndaj politikave që kanë qenë hegjemoniste e që kanë ardhur nga Serbia, në prokurori, sistemin e sigurisë e disa institucione, e në këtë mënyrë të kenë ngritje në karrierë. Mirëpo kemi p.sh edhe Ukshin Hotin. Edhe ai ka qenë pjesë e sistemit, por ka mbajt linjën e kundërt, ka menduar që me e mbështet popullin është më e rëndësishme se sa posti” ka deklaruar Konjufca.
Deputeti i Vetëvendosjes ka folur edhe për kryeministrin e tanishëm, Isa Mustafa gjatë periudhës pas rënies së Azem Vllasit.
“Kryeministri i tanishëm i përket periudhës pas rënies së Azem Vllasit. Dallimi i Isa Mustafës me Azem Vllasin është që në vitet 1989-90, ky i fundit ishte më pozitiv se sa Mustafa” ka thënë Glauk Konjufca.