Durrës Marina & Yachts, projekti që po zë vend në Portin e Durrësit, “përmbyti” rrjetet sociale në fillim të dhjetorit me njoftime se do të niste shitjen e apartamenteve, të cilat do të nisnin nga 110 mijë euro.
Por vetëm disa ditë më pas, një tjetër projekt nisi të qarkullonte me njoftime të shumta për shitje apartamentesh, por këtë herë në “Marinën e Vlorës” apo Vlora Marina.
Për projektin në Vlorë, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi vetëm dy ditë më parë lejet e ndërtimit për dy objekte rezidenciale pra apartamente.
Vendimi i parë ishte leje ndërtimi për objektin: “Strukturë akomoduese rezidenciale dhe Marina Resort”, Blloku 3 (Objekti D4), me vendndodhje në Bashkinë e Vlorës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Marina Residence Vlorë” sh.p.k.
Vendimi i dytë, leje ndërtimi për objektin: “Strukturë akomoduese rezidenciale dhe Marina Resort”, Blloku 3 (Objekti C5), me vendndodhje në Bashkinë e Vlorës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Marina Residence Vlorë” sh.p.k.
Projekti i Durrës Marina & Yachts
“Durrës Yachts & Marina”, një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku), që po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” filloi shitjen e apartamenteve në datën 8 dhjetor.
Apartamentet do të jenë me një deri në tre dhoma dhe do të fillojnë nga 110 mijë euro, bëhet e ditur në njoftim. Në pamjen e publikuar është e qartë që ndërtimet janë të ngjeshura, duke lënë pak hapësirë, një model që është ndjekur dhe në zhvillimin e bregdetit të Golemit.
Sipas planit të biznesit të projektit, të publikuar më herët, çmimet e shitjes do të variojnë midis 1500-2000 euro/m2.
Ndonëse ky është një investim që ka marrë statusin strategjik (duke përfituar përjashtime nga taksat, madje dhe atë të infrastrukturës dhe ndërtimit), të dhënat e planit të biznesit tregojnë se, të paktën në fazën e parë, kemi të bëjmë më shumë me një projekt të pasurive të paluajtshme, sidomos në fazën e parë të tij, sesa kthimin e hapësirave të portit në një destinacion të mirëfilltë turistik.
93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte.
Edhe skema e financimit të apartamenteve është e ngjashme me atë që ndodh rëndom në vend, duke mundësuar parapagimet, shitjen e apartamenteve që në ajër. Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro.
Marina e Vlorës
Marina Rezidences Vlorë është subjekti që po angazhohet për ndërtimet rezidenciale në projektin e portit turistik të Vlorës që ka fituar statusin e investimit strategjik në 29 mars 2021 nga Këshilli i Investimeve Strategjike. Marina Rezidences Vlorë zotërohet nga Marina di Valona me 72 për qind të aksioneve, Balfin 10 për qind të aksioneve, dhe Brunes me 18 për qind të aksioneve.
Në objekt të aktivitetit të kompanisë Marina Rezidences Vlore thuhet se është “zbatimi i detyrimeve qe rrjedhin nga Vendimi nr 4/3, datë 29.03.2021 i AIDA-s (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve), për investimet shtesë të lidhura me marinën e Vlorës dhe në shërbim të saj, duke përfshirë, por pa u kufizuar: Projektim dhe ndërtim i objekteve civile apo industriale dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve të kësaj natyre per vetë dhe për të tretë.
Veprimtari ekonomike në fushën e turizmit, nëpërmjet ngritjes, operimit dhe administrimit të strukturave turistike pritëse (akomoduese) dhe të gjitha shërbimet direkt apo indirekt te lidhura me to, si në tregun e brendshëm ashtu edhe ne ate ndërkombëtar”.
Vetë projekti i Marinës së Vlorës që ka fituar statusin e investimit strategjik parashikon një vlerë prej 105 milionë eurosh si investim si dhe punësimin e 1 mijë personave gjatë ndëtimit dhe operimit. Ky projekt mori statusin duke u nënvizuar se do të zhvillojë njësi akomoduese, hoteleri e shërbime të standardizuara të zonës në kufi me infrastrukturën portuale koncensionare.
“Projekti parashikon zhvillimin kompleks të zonës në kufi me projektin koncensionar të Marina Vlorë, nëpërmjet realizimit të strukturave akomoduese , zonave rezidenciale dhe shërbimeve në funksion të tyre” thuhej në vendimin e KIS./MONITOR