Një familje në Gjakovë e cila qysh nga paslufta jeton në një banesë e cila nuk i takon asaj, po pretendon se ka të drejtë qëndrimi aty, raporton KTV.
Familja Baftijari po kundërshton një vendim të Gjykatës, që sipas tyre duhet të lirojnë banesën brenda tre muajsh e cila është pronë e ndërmarrjes “Virgina”.
Lufta e fundit në Kosovë i kishte lënë pa kulm mbi kokë familjen Baftijari nga Gjakova.
Në pamundësi të rinovimit të shtëpisë së djegur, kjo familje kishte hyrë në një banesë të pabanueshme pa ditur se kujt i takon.
Vëllezërit Fisnik e Kreshnik Baftijari thonë se tek në vitin 2003 e kishin kuptuar se kjo banesë është pronë e ndërmarrjes “Virgina”.
Por ata nuk e kishin menduar se pas disa vitesh dikush tjetër do të pretendojë se është pronar.
Fisniku u padit nga një shtetas serb, duke kërkuar të drejtën pronësore.
Dënimin e Gjykatës prej pesë muajsh burgim me kusht ai e quan të papranueshëm.
Ruzhdi Lila nga ndërmarrja “Virgina” ka sqaruar se shtetasi serb ishte punëtor i kësaj ndërmarrjeje dhe sipas tij, siç bënte ndërmarrja me punëtorët e tjerë edhe këtij i kishte dhënë në shfrytëzim këtë banesë.
Por sipas tij serbi nuk është pronar legjitim i kësaj banese.
Lila nëpërmjet telefonit ka thënë se e lejuan familjen Baftijari për shkak të kushteve jo të mira sociale.
Por sipas tij për këtë rast do të vendosë Gjykata Supreme e Kosovës.
Televizioni Arta ka provuar të marrë një qëndrim nga kjo gjykatë, por ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj Gjykate, Gyltene Sylejmani nuk ka kthyer përgjigjeje.
© KOHA.