Në kulmin e fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, qytetarët u “bombarduan” intensivisht me konferenca për shtyp, promovime të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë, përplasje ndërpartiake, akuza dhe dezinformata.
Nga deti i lajmeve në eter, njëri pati peshë të veçantë. Nën petkun e një “ekskluzive”, portali Fol.mk më 23 tetor publikoi se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, do të tërhiqej nga politika pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Ky lajm u transmetua nga pothuajse të gjitha mediat vendore. Një ditë më pas, atëherë zëdhënësi i integristëve, Arbër Ademi, duke e quajtur lajmin dezinformatë, mohoi se Ahmeti do të tërhiqej nga skena politike. Së fundmi, më 20 dhjetor, në Kongresin e BDI-së, si kandidat i vetëm në kongresin e pestë të partisë, Ali Ahmeti u rizgjodh lider i kësaj partie opozitare.
Analiza e teksteve të publikuara nga media Fol.mk tregon një ton kritik dhe sulmues ndaj BDI-së dhe një ton informues e pozitiv për politikat e koalicionit qeverisës VLEN. Si kolumnist i medias paraqitet koordinatori nacional për komunikim dhe media i emëruar nga Qeveria, Latif Arifi. Media transmeton edhe paraqitjet e tij televizive dhe qëndrimet lidhur me zgjedhjet, duke kritikuar politikat e opozitës BDI.
Megjithatë, emri i Latif Arifit lidhet me median edhe në një kontekst tjetër. Botues i portalit Fol.mk është kompania FOL MEDIA DOOEL Tetovë, drejtues i së cilës që nga qershori 2025 është Ilir Arifi. Më herët, deri në fillim të qershorit 2025, si pronar dhe drejtues në Regjistrin Qendror ishte i regjistruar pikërisht emri i Latif Arifit.

Por emri i tij ende figuron në regjistra dhe dokumente zyrtare të lidhura me Fol.mk.
Sipas regjistrit zyrtar të MARNET-it, i cili është regjistri zyrtar për domenet .mk në vend, domeni fol.mk është i regjistruar nga Latif Arifi nga Tetova, i shënuar si regjistrant dhe kontakt administrativ. Kjo e konfirmon statusin e tij si pronar i domenit, i vlefshëm deri në gusht 2026. Adresa e deklaruar nga Latif Arifi është edhe adresa aktuale e Fol.mk e shënuar në faqen e medias. Numri i telefonit i lënë në MARNET, nëse futet në aplikacionin Viber, shfaq fotografinë e koordinatorit nacional Latif Arifi.

Emri i Latif Arifit paraqitet edhe në dokumentet zyrtare të dorëzuara nga Fol.mk në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) që media të mund të përfitojë para shtetërore për reklamim zgjedhor.
Në dokumentet e publikuara nga KSHZ thuhet se kërkesën për regjistrim në regjistrin e radiodifuzerëve, mediave të shtypura dhe portaleve në internet e ka dorëzuar Latif Arifi, i cili ka paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim. Kjo ka ndodhur në dy raste – për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, kërkesa është dorëzuar në mes të gushtit.

Kërkesa e dytë është dorëzuar muajin e kaluar për zgjedhjet e përsëritura që pritet të mbahen më 11 janar në katër komuna.

Aktualisht, në faqen e Fol.mk mund të vërehet promovim i Nevzat Bejta, kandidatit të koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale të ardhshme në Gostivar.
KSHZ ende nuk i ka publikuar shumat që kanë përfituar mediat, për të cilat ishin paraparë 6.5 milionë europara shtetërore për reklamim politik të paguar për partitë dhe koalicionet.
Portali X iu drejtua edhe Qeverisë edhe koordinatorit të saj nacional për media, Latif Arifit, i cili u emërua në këtë funksion në seancë qeveritare më 5 gusht.
“Ky emërim i rëndësishëm e thekson përkushtimin e qeverisë për forcimin e strategjive të komunikimit dhe promovimin e një mjedisi mediatik transparent, efikas dhe gjithëpërfshirës”, shkroi zëvendëskryeministri Arben Fetai në Facebook pas emërimit të tij.

Por, as Qeveria dhe as koordinatori i saj nacional për komunikim dhe media nuk iu përgjigjën pyetjeve se në çfarë mënyre Latif Arifi e ushtron funksionin profesionalisht, në kushte kur personalisht dorëzon dokumente në KSHZ për reklama shtetërore për një media private me të cilën është i lidhur. Nga Qeveria nuk u përgjigjën as në pyetjen nëse kjo situatë përbën konflikt interesi sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit.
Dokumentet që publikon Portali X janë dorëzuar në masë të madhe edhe te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga atje thanë se ende do të shqyrtojnë rastin.
“Ju njoftojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do ta shqyrtojë rastin dhe do të vlerësojë nëse ka elemente për vesprim në kompetencën e tij në këtë rast konkret”, u përgjigjën nga institucioni për Portalin X.



