Mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës dy të rinj kanë shtirë me breshëri plumbash drejt një lokali me muzikë live. Policia ka bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarje dhe ka dhënë informacion mbi autorët dhe shënjestrën. Fatmirësisht nga ngjarja nuk është shënuar asnjë viktimë.
Më datë 25.11.2017, në aksin rrugor Korçë-Dishnicë, jemi njoftuar së në drejtim të një lokali me muzikë live, është qëlluar me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë.
Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasit A.Qiraxhi, 23 vjeç dhe shtetasi A.Babani, 18 vjeç, së bashku me disa shtetas të tjerë bashkëpunëtorë të dyshuar të tyre, janë pozicionuar me dy automjete përpara lokalit dhe kanë goditur me dy armë zjarri tip kallashnikov dhe pistoletë, në drejtim të këtij të fundit.
Këta shtetas më pas kanë hyrë në lokal dhe kanë goditur me mjet të mprehtë shtetasin A.K dhe kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin A.L, (pronari dhe administratori i lokalit).
Shtetasi A.K, ka marrë mjekim në Spitalin e Korçës dhe nuk ka probleme për jetën. Motivi i kësaj ngjarje dyshohet të ketë qenë një konflikt i vjetër për motive të dobëta, ndodhur midis këtyre personave.
[{ loading … }]
Policia e Korçës me të gjitha strukturat në varësi të saj, janë vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar të ngjarjes, si edhe kanë ngritur grupe të shumta kontrolli për krehjen e zonës.
Nga kontrollet e kryera në afërsi të fshatit Lubonjë, janë gjetur të braktisura të dyja automjetet tip “BMW” me targa AA848FG brenda të cilit u gjetën shkopinj druri, një sopatë dhe dy gjerdanë me fishekë dhe mjeti tip “BMË” me targa AA 267ND të cilat ishin përdorur nga autorët.
Forcat policore vijuan me krehjen e territorit në fshatrat përreth.
Në vijim të veprimeve proceduriale, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në ambjentin lokal dhe kamping në pronësi të shtetasit Feridon Babani, babait të njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, në vendin e quajtur “Rezervuari i Gjançit” janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 44.6 gramë lënde e dyshuar si narkotike Cannabis Sativa, municione luftarake, aksesorë dhe mjete të ndryshme për përdorim të lëndëve narkotike. Gjithashtu në të gjitha këto ambiente janë konstatuar edhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga strukturat e Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Feridon Babani, 53 vjeç, për veprat penale : “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” “Vjedhja e energjisë elektrike” parashikuar nga nenet 283, 278 e 137 të Kodit Penal.
Gjithashtu nga Sektori kundër Krimit Ekonomik-Financiar, kanë filluar hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore, punonjës të OSHEE si edhe Drejtorisë së Tatim Taksave të cilët dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën dhe të kenë favorizuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike të këtyre ambienteve dhe shmangien nga detyrimet.
Shtetasit A.Qiraxhi dhe shtetasi A.Babani, u shpallën në kërkim policor për veprat penale : “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 79/dh, 22 e 25 të Kodit Penal.
Nga ana e Policisë së Korçës, po vijon puna për kapjen e autorëve të dyshuar, bashkëpunëtorëve të tjerë të implikuar, si edhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje./Dritare.net