Gazetare: Fatlume Dervishi
VMRO-DPMNE-ja thotë se zv/kryeministri i parë Artan Grubi gënjen dhe manipulon kur bën krahasim të ndërtimit të pjesëve të Korridoreve 8 dhe 10D në vendin tonë, me ndërtimin që Behtel-Enka ka bërë në Serbi. Sipas tyre, projekti në Serbi është zhvilluar me tender, jo me marrëveshje në katër sy, pa ndryshim ligjesh, pa barazuar ndërtimet ligjore me ndërtimet e jashtëligjshme, pa prekur lokalitetet arkeologjike dhe pa penale mbi qindra mijëra euro.
“Artan Grubi pranon se pas marrëveshjes së dëmshme të firmosur nga krim-qeveria e BDI-së dhe LSDM-së do të paguhen penale prej qindra milionë euro. Kanë firmosur marrëveshje pa legjitimitet nacional dhe pa konsensus. Tani Grubi thotë se nuk do t’i pengojë asgjë dhe kjo do të kushtojë qindra milion euro më shumë për shkak se projekti do të vazhdohet për dy vite të tjera, për shkak të mos-ndryshimit të ligjeve”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se Qeveria e ardhshme e tyre, pas kësaj marrëveshje të firmosur ka dy opsione, e para është që të shkëpusë marrëveshjen dhe të humbë para gjyqit në Paris. E dyta, të respektohen ligjet ekzistuese dhe në bazë të atyre procedurave të bëhet projekti.
Zv/kryeministri Grubi i përgjigjet partisë opozitare duke e akuzuar atë për dëmet e shkaktuara kur VMRO-DPMNE-ja ka qenë në pushtet. Duke e injoruar faktin që partia e tij ka qenë po ashtu pjesë e atij pushteti në periudhën që Grubi i referohet, ai shkruan:
“Asgjë s’kanë ndryshuar në këto 33 vite, asnjë vendim të mirë për shtetin nuk e kanë marrë, perkundrazi, i hodhën 1 miliardë euro në stiropor e marrëzira antikuizimi për Shkupi 2014, sollën Subrata Roj, na përgjuan 1 milion herë, na arrestonin, akuzonin dhe gjykonin vet, na sollën togfjalëshin shtet i kapur, na rrënuan marrëdhëniet me dhe , 11 vjet na mbajtën larg NATOsë dhe na sollën dhe . MOS HARONI: Opozita, VMRO dhe Levica, me bllokadën e ligjeve në Kuvend, do ta kushtojë shtetin mbi 150 milion euro dhe dy vite humbje kohe. Realizimin e projektit nuk mund ta ndalin në asnjë mënyrë të vetme, vetëm mund ta shtrenjtojnë dhe vonojnë përfundimin e autostradave”, shkruan Grubi.
Qeveria premton se pjesët e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D, në rast se miratohen ligjet që janë në procedurë, do të jenë gati më 31 dhjetor të vitit 2027. Ndërtimi i 110 kilometrave në total, për momentin parashikohet të kushtojë 1.3 miliardë euro. /Alsat.mk