Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një retorikë shterpe, ndonëse e papërgjegjshme dhe e rrezikshme.
Në një intervistë për Koha.net, kreu i LDK-së thotë se rihapja e çështjes së Kosovës është e barabartë me rihapjen e pavarësisë. Sipas tij, këtë nuk ka të drejtë ta bëjë askush dhe se me Serbinë na nevojitet marrëveshje për njohje reciproke, në kufijtë në të cilët Kosova ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht.
“Nevojitet normalizim i marrëdhënieve dhe fqinjësi e mirë”, deklaroi Mustafa.
Ai thotë se as presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit e as kryeministrit të vendit, Ramush Haradinajt, nuk u besohet.
“Është një retorikë shterpe, por e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Njëri premton se e marrim Luginën e Preshevës dhe nuk japim asgjë, e tjetri se korrigjimi i kufijve shkakton luftë, por të gjithë qeverisin bashkërisht, së bashku i ndajnë rolet, së bashku paraqiten në Bruksel dhe bashkërisht mundohen të mashtrojnë opinionin. Nuk i besohet as njërit e as tjetrit”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për Koha.net.
Mustafa flet edhe për çështjen e sigurisë në vend, për koalicionin aktual qeverisës, për presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës i dialogut me Serbinë, për atë se a do ta ketë Thaçi më votën e partisë së tij, për koalicionin e mundshëm qeverisës në rast se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, e për shumë tema tjera.