Gazetar: Suad Bajrami
Artan Grubi, Përparim Bajrami, Enver Bexheti, Vasko Kovaçevski, Ixhet Memeti dhe Naqe Georgiev. Këta janë emrat e funksionarëve dhe pushtetarëve ndaj të cilëve gjatë vitit 2024 u hapën lëndë nën dyshimet për përfshirje në korrupsion të nivelit të lartë, shkruan Alsat.
Grubi, mbase është figura kryesore, i cili nga majat e pushtetit përfundoi në humnerën e Listës së Zezë Amerikane. Edhe atë, duke u akuzuar se ka pranuar ryshfet për të shpëtuar nga burgu ish drejtorin e Policisë Sekrete, famëkeqin Sasho Mijallkov. Këtë, sipas amerikanëve e ka bërë në bashkëpunim me gjykatësin kontrovers Enver Bexheti. Gjykatësi Bexheti, për nëntë muaj e mbajti lëndën e Mijallkovit në sirtar me qëllim për t’ia vjetërsuar veprat penale për përgjimet e paligjshme. Shkeljen e kishte konstatuar edhe vetë Këshilli Gjyqësor, megjithatë e kishte dënuar gjykatësin me vetëm 20% të pagës për gjashtë muaj.
Futja e Grubit në Listën e Zezë, përveç që prodhoi interes dhe reagim të jashtëzakonshëm politik, prodhoi dhe reagim të organeve të ndjekjes. Ndonëse, nuk pati veprim konkret për akuzat direkte që përmenden nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Prokuroria një javë më vonë hapi lëndë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore. Sipas organit të akuzës, Grubi nga pozita e ish zëvendëskryeministrit, bashkë me drejtorin Përparim Bajrami, janë dy të dyshuarit e parë për keqpërdorim të mbi 8 milionë eurove, pasi kanë blerë VLT aparate edhe pse s’kanë pasur të drejtë ligjore. Dëmi në Lotarinë Shtetërore, sipas përfaqësuesve qeveritar është shumë herë më i madh se 8 milionë euro.
Megjithëse Grubi shfaqte dëshira për veting e drejtësi, madje duke kritikuar ashpër ish kryeministrin Nikolla Gruevski për arratisjen e tij në Budapest, ai një ditë para se të bastiset shtëpia arratiset nga vendi dhe nuk bëhet i qasshëm për organet e rendit. Sikur Grubi, edhe i dyshuari Bajrami nuk është i qasshëm për organet e vendit.
Shembullin e njëjtë, e ka ndjekur edhe Vasko Kovaçevski, ish drejtor i Elektranave të Maqedonisë, i cili ishte pjesë e të dyshuarve në aksionin me emrin e koduar “Aditiv”. Në lëndë të dyshuar janë 23 persona, të cilët sipas Prokurorisë, nëpërmjet tenderëve për furnizim të aditivëve, kanë paguar tre herë çmim më të lartë, me çka buxheti i shtetit është dëmtuar për 6,5 milionë euro.
Rasti tjetër tronditës ishte ai me Naqe Georgievin dhe Ixhet Memetin, njëri gjykatës suprem, tjetri zëvendëskryetar i Këshillit të Prokurorëve. Georgiev, u kap në flagrance duke marrë ryshfet në vlerë prej 10.000 eurosh për të ndikuar në lehtësimin e procesit gjyqësor kundër ish kryetarit të Novo Sellës, Boro Stojçev, i cili akuzohet për trafikim me lëndë narkotike.
Në këtë vepër, i përfshirë ka qenë edhe Memeti i cili ka biografi të pasur në kryerjen e funksioneve, gjegjësisht ministër i Drejtësisë, gjykatës kushtetues, Avokat i Popullit dhe së fundi anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Sipas akuzës, implikimi i Memetit në këtë rast është se ka zhvilluar biseda telefonike dhe video thirrje me Georgievin dhe djalin e Stojçevit për të garantuar në këtë mënyrë se autoriteti i tij do të hyjë në funksion për marrëveshjen me prokurorinë dhe shqiptimin e dënimit më të ulët se sa parashikonte gjykata.
Memeti, pavarësisht se kishte mohuar akuzat e Prokurorisë, ai e ka pranuar vullnetarisht veprën për të cilën ngarkohet dhe u dënua me 1 vjet burg me kusht dhe ndalesë për kryerjen e detyrës zyrtare në afat prej tre vitesh. Nga ana tjetër, gjykatësi Georgiev u dënua me 3 vjet burg, për veprën që dënimi sipas Kodit Penal parashihet prej 1 deri në 10 vjet burg.
Në opinion, pati kritika për dënimet e ulëta të Georgievit dhe Memetit./ Alsat.mk