Kortezhi i Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçar, transportohet sot me rrugë tokësore nga Greqia drejt Shqipërisë, përmes pikës kufitare të Kakavisë.
Sipas raportimeve nga mediat greke, turma njerëzish po i japin lamtumirën e fundit kryepeshkopit në Kakavijë, teksa kortezhi kaloi pikën kufitare.
Pritja e shenjtërimit dhe homazhet për Kryepeshkopin Anastas, do të mbahen në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë të martën, më 28 janar, në orën 16:00.
Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00.
Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë dhe patriarkë nga kishat ortodokse në botë.
Nga Athina mësohet se do të jenë të pranishëm në varrimin e tij kryeministri, Kyriakos Mitsotakis dhe kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Ieronymos.