“Kosova do të duhej ta merrte liberalizimin e vizave para vendeve të rajonit”

Pavarësisht paralajmërimeve se liberalizimi i vizave mund të mos ndodhë deri më 2020-n, anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane (nga PDK-ja), Zenun Pajaziti në një prononcim për “Zërin”, ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Vetëm një vonesë sado e vogël është një padrejtësi e madhe, lëre më 2020-n. Më shumë mendoj që kjo është në kuadër të spekulimeve, pasi BE-ja nuk ka asnjë arsye ta shtyjë vendimin meqë janë përmbushur kriteret”, është shprehur ai.

E në rast se ky vendim nuk merret këtë vit, sipas Pajazitit Kosovës do t’i bëhej padrejtësia më e madhe nga Bashkimi Evropian. Megjithëkëtë, ai është shprehur optimist se shtetet anëtare të BE-së nuk do ta vendosin në “luhatje” besimin e Kosovës karshi tyre. Në të kundërtën, siç Pajaziti është shprehur, kjo mund të ndikojë edhe në procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Mendoj që BE-ja, vendet partnere nuk e qesin në luhatje besimin tonë ndaj tyre. Pra, nuk do të na zhgënjejnë. Nëse kjo ndodh nuk besoj që do t’i ndihmojë procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ose zgjidhjes përfundimtare me Serbinë. Besoj dhe shpresoj që liberalizimi i vizave nuk do të jetë më në agjendë për proceset tjera. Nëse kjo ndodh nuk mendoj që do t’i shtyjë proceset tjera, përkundrazi do t’i ngadalësojë ato”, ka potencuar Pajaziti.

Kurse politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se aktualisht nuk ka disponim për liberalizim të vizave për Kosovën, ndonëse më nuk kanë mbetur kritere të papërmbushura.

Ramush Tahiri

“Unë konsideroj që Kosova moti i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe konsideroj që faji është te Bashkimi Evropian dhe te politikat joparimore të zgjerimit të Bashkimit Evropian, sepse në periudhën kur liberalizim ka marrë edhe Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, e cila nuk e kontrollon territorin, Kosova do të duhej ta merrte liberalizimin e vizave para vendeve të rajonit”, është shprehur ai.

E ndonëse vendet e tjera kanë marrë liberalizimin para 5-6 vjetësh, Tahiri ka konsideruar se Kosova nuk e ka të sigurt heqjen e vizave as tash. Rrjedhimisht, nëse një gjë e tillë nuk ndodh as përgjatë këtij viti, atëherë zhgënjimi do të jetë shumë i madh.

“Sigurisht se po humbet besimi te Bashkimi Evropian. Kosova edhe kriteret që i ka pasur të shtuara i ka plotësuar”, ka potencuar ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme