Republika e Kosovës filloi raportimin e rregullt të statistikave të sektorit të jashtëm (SSJ) në Eurostat, duke bërë kështu një hap shumë të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit të statistikave. SSJ për Kosovën tani janë të prezantuara në “Databazën” e Eurostatit.
Kosova është e përkushtuar të përdorë Databazën e Eurostatit si një kornizë të përgjithshme në avancimin e mëtutjeshëm të sistemit kombëtar të diseminimit të statistikave, në pajtim me praktikat e Bashkimit Evropian (BE). Pjesëmarrja e Kosovës me SSJ në Eurostat është një arritje e madhe në zhvillimin e statistikave të vendit.
Kosova do të përfitojë nga publikimi i të dhënave në Eurostat dhe kjo pjesëmarrje do të çojë në prodhimin dhe shpërndarjen më të saktë dhe më të besueshme të statistikave. Raportimi në Eurostat ofron një mundësi për zhvillim të mëtutjeshëm të sistemit të diseminimit të statistikave për vendin tonë. Eurostati është zyra statistikore e BE-së dhe ka për mision të sigurojë statistika të cilësisë së lartë për vendet e Evropës. Në databazat e Eurostatit ofrohet një gamë e plotë e të dhënave në dispozicion për publikun e gjerë. Të dhënat, siç raporton televizioni publik, publikohen në tabela multi-dimensionale, me karakteristika të ndryshme për t’i selektuar dhe mundësi të shumta për t’i eksportuar ato të dhëna në formate të ndryshme.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në fund të muajit dhjetor 2016 ka dërguar në Eurostat të dhëna për katër dataseta, duke përfshirë seritë kohore për vitet e kaluara. Të dhënat për bilancin e pagesave, pozicionin e investimeve ndërkombëtare, statistikat për tregtinë në shërbime ndërkombëtare, si dhe statistikat për investimet direkte tanimë do të jenë në dispozicion nga faqja e Eurostatit. Përpilimi i këtyre statistikave është në harmoni të plotë me kërkesat raportuese të BE-së.
Në databazën e Eurostatit, të dhënat për SSJ publikoohen në domenin “Ekonomi dhe financë” në nën-kategorinë “Balance of payments by country – quarterly data (BPM6)”.