Në fund të vitit 1988 qindra mijëra shqiptarë protestuan në Kosovë kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga Serbia e Slobodan Milosheviqit. Tekstet e Kosovës nuk e qartësojnë se protestuesit e kundërshtonin ndërrimin e udhëheqësve komunistë të Kosovës.
Po kështu, grevat e minatorëve të Kosovës, të cilët në shkurt të 1989-s u ngujuan për dhjetë ditë në zgafelle me kërkesën kryesore kundër rrënimit të autonomisë së Kosovës, prezantohen në këto tekste pa kërkesat për “vëllazërim-bashkim dhe rrugën e drejtë të Titos”, shkruan sot Shkëlzen Gashi në pjesën e nëntë të serisë “Tekstet mësimore të historisë të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë” të botuar në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.
Këto protesta e greva nuk prezantohen fare në tekstet e Serbisë e të Malit të Zi, kurse në ato të Shqipërisë paraqiten shkurtimisht si grevë për rivendosjen e të drejtave të shqiptarëve. Pas këtyre grevave dhe protestave, në Kosovë vihet gjendja e jashtëzakonshme dhe arrestohen qindra intelektualë, profesorë e udhëheqës ndërmarrjesh shoqërore.
Këto arrestime përmenden vetëm në tekstet e Kosovës, të cilat nuk e japin askund arrestimin dhe gjykimin edhe të ish-udhëheqësit politik të shqiptarëve të Kosovës, Azem Vllasi, që lirohet nga burgu pas afro një viti.