Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka refuzuar kërkesën e e Patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patriarkanën e Pejës gjatë ditës së sotme.
Lajmi është bërë i ditur më herët gjatë ditës nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
MPJD ka thënë se nuk do të lejohen vizita të tilla derisa ‘Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes’.
‘Në orën 1:30 pasdite, patriarku serb është dashur të kalojë pikën administrative të Merdares, për të shkuar në selinë shekullore të kryepeshpokëve dhe patriarkëve, mirëpo në momentin kur është dashur të kalojë pikën, ka ardhur ndalesa prej Prishtinës, me arsyetimin se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës’, ka thënë Petkoviq.
Ai ka thënë Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat valide, e ka dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.
‘Patriarku serb Porfirije, gjithmonë, në çdo rast dhe vend, bën thirrje për paqe dhe bashkëjetesë të serbëve dhe shqiptarëve në zonën e Kosovës dhe Metohisë. Fatkeqësisht, këto janë vlera dhe mesazhe që askush në Prishtinë nuk i kupton’, ka thënë mes tjerash Petkoviq.
Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të shpallur në shkurt të vitit 2008 – prandaj dy vendet negociojnë në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për t’i normalizuar marrëdhëniet.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
© SYRI.net