Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka ndaluar hyrjen e dy ngarkesave me gjithsej 12.268 kilogramë produkte ushqimore të prodhuara nga fabrika AD MLEKARA TETOVO.
Sipas AUV-së, vendimi për ndalimin e importit është marrë më 6 nëntor, pas shkeljeve të përsëritura të standardeve të sigurisë ushqimore dhe higjienës gjatë prodhimit.
Arsyet përfshijnë edhe rezultate të pakënaqshme laboratorike në ngarkesat e mëparshme, ku është konstatuar prania e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar.
AUV ka bërë të ditur se fabrika është larguar nga lista e prodhuesve të aprovuar për eksport në Kosovë. Ndërkohë, do të vazhdojnë kontrollet për identifikimin e produkteve të mundshme jokonforme që janë importuar më herët.
Asnjëra nga dy ngarkesat e fundit nuk është lejuar të hyjë në tregun e Kosovës.



