Katër komunat paralele serbe vepronin në një objekt në jug të Kosovës dhe ofronin shërbime për qytetarët serbë të komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elebert Krasniqi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla në Kosovë morën pjesë në aksionin e mbylljes së katër komunave paralele serbe në jug të Kosovës. Këto komuna sipas autoriteteve kosovare, që nga paslufta po vepronin jashtëligjshëm në jug të Kosovës në qarkun e Dragashit. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se komunat paralele u mbyllën në fshatin Vranisht në Dragash, ku ato vepronin në një objekt të përbashkët dhe lëshonin dokumente të jashtëligjshme për qytetarët serbë të komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.
“Aktiviteti i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë. Funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin. Kosova ka komuna, të cilat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe ky objekt sikurse objektet e tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha ministri Krasniqi. Në të njetën linjë u shpreh edhe Ministri i Brendshëm Xhelal Svecla, i cili shtoi se “Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Akuza nga Serbia
I menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve të Serbisë, të cilat e akuzuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “frikësimin e banorëve të kësaj komune”. “Nuk ka dyshim se bastisja në objektin e komunës u krye me urdhër direkt të Albin Kurtit, me një qëllim të vetëm, ta mbyllë atë, t’i frikësojë dhe t’i largojë punëtorët nga vendi i punës, dhe pastaj nga pragu i shtëpive të tyre, ku ata jetojnë paqësisht në harmoni, pa e prekur askënd”, thuhet në një reagim të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
Vetëm një ditë më parë autoritetet e Kosovës hoqën disa billborde në veri të Kosovës që mbanin fotografi të personaliteteve të ndryshme serbe, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuҫiq dhe Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Svecla, në territorin e Kosovës “nuk do të lejohen simbolika të personave që kanë qasje agresore ndaj Kosovës”.
“Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, tha ministri Svecla. “Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj, ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë. Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”, tha ministri Svecla.
Në Kosovë që nga pas lufta veprojnë lirshëm strukturat paralele serbe të financuara nga qeveria e Serbisë dhe që ofrojnë shërbime për qytetarët serbë. Sipas të dhënave publike të veta, Qeveria e Serbisë, në territorin e Kosovës, që në kushtetutën e saj e njeh si territor të vetin, ka mbi 20 komuna paralele aktive. Komunat paralele serbe më të mëdhat janë ajo e Graҫanicës shtatë kilometra larg Prishtinës, dhe katër komunat paralele në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në fund të vitit të shkuar policia e Kosovës hoqi qindra kamera të vendosura në veri të vendit që kontrolloheshin nga stukturat paralele serbe.