Vonesat e krijuara me procesin zgjedhor dhe së fundit me arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës, mund të ndikojnë që Kosova të hyjë në vitin 2020 pa buxhetin e miratuar.
Qeveria në detyrë, ka miratuar vetëm kornizat buxhetore, por ajo nuk mund të miratojë projektligjin, pasi që Kuvendi është i shpërndarë dhe nuk ka kush ta miratojë atë në formë ligji. Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030.
Korniza afatmesme e shpenzimeve paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se mosmiratimi i buxhetit deri në shkurt të vitit të ardhshëm nuk paraqet ndonjë problem të theksuar.
Sipas tij, problemet fillojnë pas muajit shkurt, nëse deri atëherë nuk konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës.
“Për muajt janar – shkurt nuk do të ketë asnjë problem, kurse për muajin mars ne shpresojmë që deri atëherë së paku ta kemi Kuvendin e Kosovës. Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë mundet që me një vendim edhe muaji mars të mbulohet me shpenzime buxhetore, por sfidat dhe problemet do të paraqiteshin në muajin prill, pasi që (në atë muaj) më asnjë pagesë e brendshme nuk do të mund të bëhet përveç borxhit ndërkombëtar që e kemi”, thotë Rafuna.
Tatimet dhe taksat doganore diktojnë projeksionet për buxhetin
Po të mos ishte vit zgjedhor, kur edhe pritet të konstituohen institucionet e reja, në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike, deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës do të duhej të miratonte buxhetin e propozuar dhe ta dërgonte atë në kuvend. Derisa, afati i fundit kur kuvendi miraton buxhetin e Kosovës është 31 dhjetori.
Nëse buxheti nuk është miratuar deri më 31 dhjetor, atëherë në bazë të procedurave ligjore, kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vonesat në miratimin e një buxheti nuk janë të shëndetshme për ekonominë e një shteti.
“Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 paraqet një problematikë në vete, në kushte normale, në veçanti në kushtet kur kemi ndërrimin e koalicionit qeveritar, do të thotë qeverisjen do ta marrin dy parti të reja politike të cilat padyshim e kanë programin e vet qeverisës, program që nuk është bërë ende transparent në publik dhe kjo ndikon që mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 është me pasojë për ekonominë dhe zhvillimin normal të institucioneve shtetërore që prekin edhe operatorët ekonomik, qofshin publik apo privat”, thotë Keqa.
Kosova edhe në vitin 2019 pati hyrë pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh ishte miratuar në muajin shkurt.
Përfaqësuesit e partive që i kanë fituar zgjedhjet e 6 tetorit, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, patën thënë për Radion Evropa e Lirë se projeksionet e buxhetit për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve të bëra nga Qeveria në largim të Kosovës, do të rishikohen.
Eksperti i ekonomisë, Keqa thotë se qeveria e re do të duhet të bëjë një projektim më të mirë të buxhetit.
“Qeveria e re besoj se do të ketë ndryshime sa i përket strukturës së buxhetit. Konsideroj se është e arsyeshme që qeveria e re të përkrahë ekonominë dhe arsimin, në këtë drejtim buxheti i ri do të jetë me strukturë të re. Kjo qeveri do të bëjë ndryshimin e strukturës në kategori të ndryshme buxhetore”, tha Keqa.
Qeveria në ardhje mund të anulojë projeksionet e buxhetit për vitin 2020
Infrastruktura rrugore kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.
Organizatat ekonomike në Kosovë në vazhdimësi kanë hedhur kritika në projektimin e buxhetit ndër vite. Qeveria në largim ishte kritikuar edhe për mungesë të kulturës së menaxhimit të mjeteve buxhetore.