Për një pjese të miellit nga Maqedonia e Veriut, kufijtë e Kosovës edhe më tej do të jenë të mbyllur. Analizat nga laboratori i tretë i standardizuar do të vendosin nëse mielli i kthyer i plotëson kushtet për tregun e Kosovës. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se sasi të caktuara të disa mullinjve janë në diskutim dhe se së shpejti do të gjendet zgjidhje që mielli të eksportohet.
“Për momentin, sipas analizave që po bëhen, ky lloj i miellit është i ndaluar, i cili nuk tregon rezultate adekuate sipas analizave të bëra nga pala kosovare. Kjo është arsyeja pse këtë mëngjes i kërkuam importuesit, pse jo edhe prodhuesit, të bëjnë një super- analizë në përputhje me procedurat e ndjekura për eksportin dhe importin e produkteve të tilla. Ne do ta ngremë këtë çështje brenda sekretariatit të CEFTA-s”- deklaroi Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë.
Autoritetet e Kosovës nuk pranojnë rreth 300 ton miell gati një muaj pasi testet e kryera nga laboratori i tyre kanë zbuluar se hekuri dhe acidi folik nga mostrat e marra është nën vlerat e parapara me Rregullore. Por, mullisët pohojnë se laboratori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari gjithashtu ka bërë analiza ku rezultatet kanë treguar se niveli i hekurit dhe acidit folik janë në përputhje me rregullat e kërkuara nga Kosova. Sipas të dhënave, në vitin 2019, mbi tetë mijë ton miell u eksportuan në tregun e Kosovës ndërsa vitin e kaluar, për shkak të pandemisë, eksporti i miellit u përgjysmua./Alsat