Kosova nderon edhe Boletinin – Veseli: Kësaj feste i shtohet dimensioni i munguar për 100 vjet

Në fshatin Boletin, për nder të 104 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, pos qytetarëve të shumtë, të pranishëm ishin edhe disa figura të njohura politike, ku morën pjesë në manifestimin që u bë për nder të 28 Nëntorit.

“Sot është një ditë e madhe për kombin tonë: Dita e flamurit kombëtar. Sot, zemrat e të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, në Kosovë e Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, në Evropë, Amerikë, në gjithë botën mbarë, rrahin njësoj. Për një shekull rresht, e kemi festuar këtë ditë të madhe, me sy dhe zemër nga Vlora. Sot kësaj feste i shtohet dimensioni i munguar për 100 vjet. I shtohet Boletini, vendlindja e heroit kombëtar Isa Boletinit. Në fillim të shekullit 20 kësaj kodre ngjiteshin sa e sa burra. Vinin nga të katër anët e Kosovës. Vinin për të kuvenduar me tribunin popullor për fatet e atdheut, në një kohë të zymtë dhe plot rreziqe për kombin. Sot, ne e dijmë, se ata bënë më të mirën për vendin e tyre, edhe pse rrethanat e kohës ishin shumë të vështira. Sot, ne ngjitemi përsëri kësaj kodre, për të nderuar kujtimin e tyre. Vijmë, njëkohësisht, në këtë vend të shenjtë për kombin tonë, që të shprehim vullnetin dhe përkushtimin e qytetarëve tanë, përkushtimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës, – për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët tanë, – për bashkëpunim dhe respekt reciprok me ta. – për demokraci dhe ecje të përbashkët në rrugën e integrimit evropian”, ka thënë në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Të nderuar qytetarë të Kosovës. Sot sfidat tona nuk janë sfida të luftës, por sfida të paqes – janë sfidat për ta forcuar shtetin e së drejtës – për ta zhvilluar ekonominë prodhuese , – për ta zhdukur varfërinë dhe papunësinë nga familjet tona – për t’u krijuar perspektivë të sigurt shkollimi dhe punësimi, në vendin e tyre, të rinjve tanë, – për ta bërë të begatshme Kosovën dhe jetën e qytetarëve në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim të saj. Në këtë ditë festive, nga ky vend i nderit dhe sakrificës, afirmojmë përsëri se : – Republika e Kosovës është shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë në etni, religjion apo shoqëri. E tillë do të mbetet përgjithmonë. Sot, ndokush pretendon të vendosë kundërshti në mes identitetit shtetëror të Kosovës dhe identitetit kombëtar. Dikush flet edhe për përçarje flamujsh apo datash historike. E kanë gabim. Të tillët vetëm tregojnë se sa pak e njohin historinë dhe sa të paqartë e kanë të ardhmen”, ka thënë më tutje Veseli.

Ndër të tjera Veseli tha po ashtu edhe se forcimi i identitetit shtetëror të Kosovës është begatim i identitetit kombëtar.

“Është njëkohësisht fuqizim i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë. Është përmbushje e idealit për të cilin luftoi gjithë jetën tribuni popullor Isa Boletini, por, edhe brezat që erdhën pas tij, deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandanti legjendar i saj- Adem Jashari. I paharruar do të jetë kujtimi për Bacën Isë dhe veprën e tij në shërbim të atdheut. Lavdi dëshmorëve të lirisë. Gëzuar 28 nëntori të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë. Shëndet dhe mirëqenie në familjet e tyre”, tha tutje kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Ndërsa, stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini tha se kjo ditë dallon nga ditët tjera të 28 Nëntorit, pasi festohet me eshtrat e Isa Boletinit, në vendin e tij.

“Kjo ditë dallon nga festat e ndryshme të 28 nëntorit, për arsye se këtu janë eshtrat e gjyshit Isa Boletini, çka reflekton pozitivisht për të ardhmen e Kosovës dhe Boletinin”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemail Mingjozi, tha se ky është një moment historik dhe se Isa Boletini është ngritur për parë se si festohet 28 nëntori. /Telegrafi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme