Përkufizimi i kufirit me Serbinë, ashtu siç përmendet edhe në strategjinë e Komisionit Evropian për Zgjerim të Ballkanit Perëndimor, është një proces që duhet të bëhet patjetër.
Edhe pse është herët të flitet për këtë temë, njohësit e çështjeve politike thonë se ky proces do të ketë sfida, dhe patjetër se duhet dialog paraprakisht dhe të mos përsëritën gabimet si në rastin me Malin e Zi.
Pas Maqedonisë dhe Malit të Zi, Kosova në të ardhmen pritet ta shënjojë edhe kufirin me Serbinë. Edita Tahiri, ish kryenegociatore e Kosovës për dialog me Serbinë, tha për Radio Kosovën se ashtu siç ka pasur kompleksitet në shënjimin e vijave kufitare me Maqedoninë dhe Malin e Zi, ashtu pritet të ndodhë edhe me Serbinë. Megjithëkëtë Tahiri thotë se shënjimi i vijës kufitare me Serbinë është obligim shtetëror dhe ndërkombëtar:
“Natyrisht se edhe me Serbinë do të jetë një sfidë komplekse, por është një obligim shtetëror dhe ndërkombëtar, që kur t’i vijë koha ne presim që në fazën finale të dialogut të jetë edhe kjo çështje, pra krahas njohjes reciproke edhe demarkacioni mes Kosovës dhe Serbisë të realizohet”, tha ajo.
Tahiri thotë se Serbia duhet të heqë dorë nga kërkesa për ndonjë status të veçantë për pjesën veriore, pasi skenarët për territore janë të kohës së Millosheviqit e nacionalistëve të tjerë, por që i bëjnë dëm vetë Serbisë.
“Por është mirë, se këto iluzione të Serbisë nuk kanë asnjë bazë që të realizohen. Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, NATO-së dhe BE-së dhe Serbia nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së duhet të njohë Republikën e Kosovës dhe duhet të jetë një shtet konstruktiv në Ballkan, dhe jo të kërkojë të hapë tema që do të jenë me rreziqe për rajonin dhe mund t’i kthejnë luftërat në Ballkan. Pra, çfarëdo iniciative që të preken kufijtë, duhet të llogariten për konflikte të reja në Ballkan”, tha ajo.
Kurse Profesori i Negocimit ndërkombëtar dhe diplomacisë në Universitetin e Parisit, Valon Murtezaj, nuk e sheh këtë si problematikë pasi ekzistojnë kufijtë dhe janë kriteret e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Ai tha se në momentin që tejkalohet barriera kryesore të cilën Serbia e vendos, që e konsideron kufirin me Kosovën si kufi administrativ, atëherë nuk do të ketë problem.
“Mirëpo, hapat e parë edhe janë bërë me marrëveshjen e menaxhimit të integruar të kufirit, dhe kjo nënkupton që ato gjëra bëhen ndërmjet dy shteteve. Por edhe ajo ditë do të vijë, dhe unë kam shumë besim se nuk do të jetë problematike, sepse momentin kur hapet edhe tereni do të jetë i përgatitur. Prandaj është shumë më rëndësi që të kryhet me Malin e Zi”, tha ai.
Por më skeptik në këtë proces paraqitet njohësi i çështjeve politike Behlul Beçaj. Ai tha për Radio Kosovën se bazuar në praktikën e deritanishme, ku ka munguar konsensusi nacional për temat e interesit kombëtar siç ishte demarkacioni me Malin e Zi, probleme edhe më të mëdha priten kur është në pyetje përkufizimi me Serbinë.
“Arsyeja është shumë e thjeshtë. Te ne nuk po kuptohet se demarkacioni nuk duhet të lidhet me motivet politike, ndërkaq demarkacioni si në rastin e Malit të Zi sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe me Serbinë. Dikush dëshiron ta shfrytëzojë të mbetet në pushtet e dikush dëshiron përmes demarkacionit për të ardhur në pushtet”, tha ai.
Beçaj thotë se për zgjidhje të mirëfilltë duhet të ndërrohet qasja, dhe për temat e interesit kombëtar nevojitet një dialog:
“Përvoja po tregon se rezultati pa dialog, siç është ky me Malin e Zi, nuk shpie askund. Definitivisht demarkacioni do të zgjidhet edhe me Serbinë si duhet vetëm dhe vetëm kur të largohen motivet politike të partive politike që janë apo pretendojnë të vijnë në pushtet”, tha ai.
Sipas Beçajt, politikanët duhet të bazohen në të dhënat e profesionistëve të fushës kur është në pyetje përkufizimi. Ndryshe me shënjimin e vijës kufitare me Serbinë, Kosova do ta përmbyllë një obligim të shtet-ndërtimit të saj.