Është nënshkruar në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel marrëveshja për përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Sipas MINT-it, pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.
“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”.
Programi “Tregu i Përbashkët” thuhet se do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program.
Ministria thotë se në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe përfitimit nga ky program, bizneset dhe organizatat vendore do të njoftohen me kohë, “në mënyrë që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi shumë domethënëse për zhvillimin e përgjithshëm dhe transformimin ekonomik të vendit tonë”