Kryeministri Albin Kurti nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka folur për gjendjen pandemike në vend. Sipas tij, institucionet po punojnë maksimalisht që kjo valë e re të kalojë me sa më pak dëme në ekonomi.
Me pranimin e donacionit prej 55 automjeteve të blinduara nga ShBA-ja ai tha se FSK-ja po zhvillohet dhe kjo falë aleatëve strategjik që po ndihmojnë për sigurinë e vendit.
Kreu i Qeverisë potencoi se mbrojtja e territorit është interes vital dhe se të gjitha politikat do të bëhen në koordinim me NATO-n.
“Republika e Kosovës këto ditë është duke u përballur me sfida si rezultat i pandemisë globale. Institucionet po punojnë maksimalisht që kjo valë e re të kalojë me sa më pak dëme në ekonomi”.
“Vendi ynë po mirëpret refugjatët afgane po mbështet paqen në lindjen e mesme ushtarakisht. FSK po jep kontribut të veçantë në këto zhvillime. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK po punojnë pandalshëm për rritjen e kapaciteteve ushtarake”.
“Në rrugën e zhvillimit të ushtrisë sonë rol të rëndësishëm po luan ShBA dhe partnerët tjerë strategjik. Kjo mbështetje është vetëm një nga fushat ku ShBA-të po ndihmojnë për sigurinë e vendit tonë”.
“Qeveria e Kosovës mbrojtjen e territorit e sheh si një interes vital shtetëror. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes që të jenë të përputhshme me NATO-n me qëllim anëtarësimin në këtë organizatë”, tha ai.
“FSK-ja i ka më të mëdha aftësitë se sa mundësit. Ne po ju bashkëngjisim pajisjet tjera ushtarake si këto pajisje moderne. Uroj që këto automjete të blinduara të përdorën në mënyrën më të mirë”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dhuruar Kosovës 55 automjete ushtarake. Me këtë rast, presidentja e vendit, Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen e saj ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ushtrisë amerikane si dhe popullit amerikan.
Presidentja Osmani tha se SHBA-ja po kujdeset që Kosova t’i zhvillojë kapacitetet e saj ndërvepruese ushtarake.
“Dua që t’i shpreh mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Republikës së Kosovës presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit Biden, ambasadorit Kosnett, gjithë qeverisë amerikane, në veçanti ushtrisë së SHBA-së, por mbi të gjitha popullit amerikan, i cili po kujdeset që Kosova t’i zhvillojë kapacitetet e saj ndërvepruese ushtarake krahas zhvillimit të jetës demokratike dhe funksionimit të mirëfilltë të institucioneve të vendit”, tha Osmani.
Ajo më tej tregoi karakteristikat e automjetet që SHBA-ja ia dhuroi FSK-së. Osmani tha se ato u rezistojnë predhave dhe se janë të ndërtuara për terrene të vështira.
“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave, do t’u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej ku ju kërkohet”, tha presidentja Osmani.
Duke i uruar edhe ushtarët, Osmani tha se shpreson që Kosova së shpejti të sigurojë edhe helikopterë që janë shumë të nevojshëm.
“Shpresoj që faza e ardhshme të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm, të cilët do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetë njerëzish në raste emergjencash dhe katastrofash natyrore”, tha Osmani.
Kosova pranon nga SHBA automjete ushtarake të blinduara për FSK-në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot i kanë dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës 55 automjete ushtarake.
Për pritjen e këtyre automjeteve është organizuar një ceremoni ku është duke marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
***
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) organizojnë ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete ushtarake të blinduara, të tipit M1117 Armored Security Vehicle (ASV).
Ceremonia në fjalë do të mbahet sot në Kazermën “Adem Jashari”
Me këtë rast, do të marrin pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Gjithashtu, në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe autoritete të larta ushtarake civile vendore dhe ndërkombëtare.