Kosova rrezikon që pas disa viteve t’i ndjejë pasojat e largimit të stafit shëndetësor pasi që mjekët e infermierët e rinj në masë të madhe synojnë largimin nga vendi. Shumë mjekë të rinj kanë mësyrë shkollat që ofrojnë kurse të gjuhës gjermane si masë fillestare për t’u zhvendosur për një jetë dhe punë më të mirë. Synimi kryesor për ta është Gjermania…
“Ankesa juaj nuk ka bazë”, është përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë që ia ka këputur shpresat mjekut Liridon Haziri, për një të ardhme në Kosovë.
Hazirit iu refuzua kërkesa nga Ministria e Shëndetësisë për specializim të mëtutjeshëm në mjekësi. Ai u obligua të fillojë punën si mjek në qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, përkundër që ishte një ndër studentët më të mirë në gjeneratën e tij në fakultetin e mjekësisë.
Ai e ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë me një notë mesatare prej 9.9, ndërsa gjatë studimeve e kishte përfaqësuar Universitetin në një vizitë në Kolegjin Darmouth në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haziri thotë të mos e ketë menduar largimin nga Kosova më herët. Por, padrejtësia që ai ndjen se i është bërë e ka shtrënguar që t’i ndryshojë planet për të ardhmen.
Përveç orarit zyrtar të punës, për një kohë të gjatë, në agjendën e tij javore ai ndante edhe nga dy orë brenda tri ditëve të javës, e ndonjë javë edhe nga pesë ditë, për kursin e gjermanishtes në një nga shkollat që ofrojnë kurse gjuhësh të huaja në Prishtinë.
“Nëse kam fat dhe mundësi do të shkoj, edhe pse nuk ka qenë fare në planet e mia. Gjithmonë kam dashur të kontribuoj në vendin tim”, thotë Haziri për gazetën “Jeta në Kosovë”.
Ai tashmë është në nivelin B2 të shkollës për gjuhë gjermane. Flet me mllef kur tregon se në listën e të pranuarve për specializim ka parë shumë persona të afërt me politikën apo me nivelin menaxherial të institucioneve shëndetësore.
Haziri është i bindur se i ka plotësuar kushtet që i ka kërkuar ky konkurs për të.
Sipas tij, konkursi ka kërkuar që kandidati të ketë të kryer drejtimin përkatës në Fakultetin e Mjekësisë, të jetë i licensuar për punë profesionale dhe të kenë së paku 1 vit pune nga data e licensimit.
Me gjithë përgatitjen që thotë se e ka, ai ka mbetur jashtë.
Edhe kryetarja e Komisionit Vlerësues për Shkollim Specialistik Drita Zogaj ka dëgjuar fjalët dhe ankesat për padrejtësitë në konkursin për specializim. Thotë se të pranuarit me këto nota (8.5) janë vetëm për profilin e mjekësisë familjare. Ajo ka një shpjegim edhe sa i përket kritikave se lidhjet familjare të kandidatëve me mjekë e profesorë kanë qenë kriteri kryesor.
“Po përfolët dhe i kam dëgjuar edhe unë. Kam kontaktuar edhe kolegët të cilët ankohen, mirëpo t’ju them të drejtën, ka më shumë fëmijë të mjekëve që kanë rënë se sa të atyre që janë pranuar. Ka pasë raste që nuk ka pasur kundërkandidat fare dhe është pranu ai që ka qenë, mirëpo ka qenë karakteristikë që në disa lëmi ka pasur fluks të madh të aplikantëve, për dy pozita kanë aplikuar 57 persona”, tha Zogaj.
Liridon Haziri nuk është i vetmi në familje që ia ka mësyrë Gjermanisë. Vëllai i tij, Driloni, tashmë është në specializim në mjekësi interne në Gjermani.
Ndikimi i politikës në shëndetësi
Doktor Haziri thotë se vëllai i tij ka qenë zyrtarisht studenti më i mirë i gjeneratës.
“Përshtypjet janë shumë të mira për mjekë, mësojnë shumë dhe paguhen mirë”, thotë Haziri duke shpresuar se shpejtë do t’i bashkohet vëllait në Gjermani. “Derisa në Kosovë në rastin më të mirë mund të paguhesh 500 – 600 Euro në muaj dhe pothuajse nuk ke mundësi të mësosh teknika të reja mjekësore, në Gjermani rroga fillestare është rreth 2,000 euro”, thotë ai.
Në QKUK janë të punësuar 613 mjekë dhe 1 mijë e 882 infermierë. Mjekët kanë pagë prej 632 euro në muaj, ndërsa infermierët kanë një pagë prej 408 euro (bruto) për punën e bërë.
Interesimi për të mësuar gjuhën gjermane është rritur shumë kohëve të fundit. Përveç çifteve që kërkojnë bashkim familjar, gjuhën gjermane po e mësojnë edhe një pjesë e madhe e punëtorëve shëndetësorë dhe studentëve të mjekësisë.
ZAS-Trade është shkollë në të cilën mësohet gjuha gjermane me kurse intensive me nga pesë herë në jave. Kjo shkollë thotë se interesimi i kuadrit mjekësor për të mësuar gjuhën është i madh, por listës i paraprijnë infermierët.
“Ka një interesim të shtuar për përcjelljen e kurseve të gjuhës gjermane nga kuadri i mjekësisë. Këtë vit ka më tepër infermiere që duan të mësojnë gjermanishten, ndërsa mjekë ka më pak”, thonë ata.
Edhe shkolla tjetër për gjuhë të huaja “Britannica” thotë se ka mjekë e infermierë të regjistruar për të mësuar gjuhën në shkollën e tyre.
Nasire Bala- Rizaj, nga ‘Britannica’, thotë se në mesin e shumë kandidatëve që janë duke vijuar kursin e gjuhës ka edhe infermierë dhe mjekë. Por, ajo ka theksuar se shumë nga studentët e kësaj shkolle vijojnë mësimin e gjuhës me qëllim të avancimit në studime, qofshin ato studime master apo të doktoratës.
Trendi në rritje i largimit
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla thotë se trendi i largimit të kuadrit shëndetësor është në rritje. Vetëm në vitin 2013, sipas tij, kanë ikur më shumë se 400 punëtorë shëndetësorë.
“Ky trend ka vazhduar të rritet”, tha Syla.
Qëllimi i gjithë këtyre punëtorëve shëndetësorë është largimi nga Kosova dhe gjetja e ndonjë pune në Gjermani.
Rritja e kërkesës për ikje nga Kosova, sipas tij, vjen edhe për shkak të rritjes së kërkesës për kuadër shëndetësor nëpër shtete të zhvilluara, ku pagesa dhe kushtet e punës janë larg më të mira se në Kosovë.
“Vetëm Gjermania është duke i kërkuar në mes të 100 dhe 120 mijë punëtorë shëndetësorë, pra ka kërkesa të mëdha. Tani kërkesat janë shtuar edhe në shtetet tjera në Europë dhe Kanada”, thotë Syla.
Ai thotë se ka disa vjet që Sindikata që ai drejton ka ngritur zërin për këtë fenomen por, sipas tij, asgjë nuk është bërë në drejtim të ruajtjes së kuadrove brenda vendit.
Syla thotë se kanë bërë një anketë me studentë të mjekësisë sa i përket fenomenit të migrimit. Thotë se pjesa më e madhe e studentëve synojnë ta lëshojnë Kosovën.
“Ajo që është më e dhimbshme është se shumë studentë në një anketë që e kemi bërë janë deklaruar se po e kryejnë Fakultetin e Mjekësisë apo të Infermierisë me të vetmin qëllim migrimin jashtë vendit. Më saktë në këtë anketë 72 për qind e tyre e kanë deklaruar këtë”, thotë ai. Gazeta JnK e ka kërkuar anketën e bërë nga Sindikata, mirëpo Syla ka thënë se anketa është bërë për qëllime të brendshme dhe nuk është finalizuar si raport për publikim.
Syla pret që në një periudhë afat-mesme, Kosova do të vuajë nga mungesa e punëtorëve shëndetësor.
“Kur kësaj (migrimit) ia shtojmë se kuadri ynë po plaket, nxjerrim vetë përfundim se çfarë po na pret”, tha ai.
Për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), gjendja nuk është alarmante. Zyra e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni, thotë nuk është në dijeni për kërkesa të shtuara për shkuarje jashtë vendit për mjekë specialistë.
“Kërkesa për punësim në SHSKUK, e sidomos në QKUK për disa lëmi i kemi shumë më të mëdha. Presim që këtë vit të ndodhë punësimi i të paktën 150 specialistëve të rinj” thuhet në përgjigjen e tyre për gazetën “Jeta në Kosovë”.
Sipas ShSKUK-së në krahasim me nevojat, ka mungesa të kuadrit të ri specialistik në treg për disa lëmi, siç janë kardiokirurgët, hematologët, neurokirurgjia, kirurgjia vaskulare, nefrologjia. Sipas tyre, tregu ka nevoja më shumë se sa që ka specialistë, por ata nuk treguan se përse janë këto profile deficitare përderisa ka persona që u refuzohet specializimi. I njëjti rast është edhe rasti i Liridon Haziri, të cilit iu refuzua specializimi në hematologji, një nga kuadrat deficitar në SHSKUK.
Në ShSKUK thonë se ka tendencë më të madhe të kuadrit infermior për ta lëshuar Kosovën.
Por, ata thonë se aktualisht nuk do të vërehet mungesa e këtij kuadri, pasi tregu është i mbushur më këto profile të infermierisë dhe poashtu ka shumë më shumë kërkesa për punësim sesa kërkesa për të lëshuar punën.
“Gjatë këtij viti pritet të punësohen në SHSKUK rreth 100 Infermier/e, më shumë se gjysma e tyre vetëm në QKUK. Kemi shumë kërkesa për punësim në Qendrën Klinike Universitare Stomatologjik të Kosovës, por edhe aty mundësitë janë të kufizuara për shkak të hapësirave. SHSKUK nuk e vëren ose ndjen shumë mungesën e kuadrit për shkak të largimeve, por kjo dukuri është më shumë e shprehur te mjekët e përgjithshëm”, thonë ata.
Ministria arsyetohet me fenomenin global
Ministria e Shëndetësisë thotë se procesit të migrimit të mjekëve prej vendeve të tyre në drejtim të Perëndimit gjatë viteve të fundit i janë nënshkruar pothuajse të gjitha ish-shtetet socialiste nga Europa Juglindore dhe gjithashtu edhe shtetet e Ballkanit.
“Nëse hyni dhe lexoni për këtë fenomen do ta vëreni se në drejtim të Perëndimit kanë shkuar shumë mjekë nga Polonia, Rumania, Moldavia, Bullgaria dhe shtetet e tjera, pastaj Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Por jo vetëm kaq, madje edhe mjekët dhe infermierët nga Gjermania dhe disa shtete të tjera të Evropës kanë migruar në drejtim të vendeve skandinave, për shkaqe thjesht financiare, paga më të mira”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky fenomen ka prekur edhe Kosovën, por sipas vlerësimit të tyre, ende në shkallë më të vogël se vendet e tjera.
“MSh-në e shqetëson ky fakt dhe për këtë arsye po tentohet që sa më shumë mjekë që e kryejnë fakultetin të angazhohen në specializime, ata që specializojnë të kyçen në punë, me qëllim që kështu të mbahen të lidhur me profesionin dhe vendin e tyre për aq sa është e mundur në kushtet dhe rrethanat kosovare”, thotë Ministria.
Por kjo ministri thotë se nuk kanë shifra të sakta të personave që e kanë lëshuar Kosovën. Krejt çka ka kjo ministri është një shifër që është rezultat i një hulumtimi që është kryer në vitin 2013. Hulumtimi gjen se numri i personelit mjekësor që nga Kosova kanë shkuar në Gjermani nga viti 2009 deri në vitin 2013 (për pesë vjet) ka qenë 109, por një numër tjetër i profesionistëve, ka shkuar edhe gjatë tre vjetëve pasuese.
Ministria thotë se duke parë hovin e largimit të mjekëve ajo po provon të marrë masa për të mos lejuar largimin e stafit mjekësor nga vendi.
“Institucionet në Kosovë kanë reaguar, duke punësuar pothuaj të gjithë specialistët e papunë rreth 250 (të gjithë ata që deri më 20 janar 2017 janë paraqitur për punë në MSh) dhe duke siguruar mbështetje financiare edhe për të gjithë ata që janë në proces të specializimit (rreth 500)”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.
Megjithatë, viteve të fundit në vazhdimësi ka pasur protesta të specializantëve. Protesta e fundit është evidentuar në fillim të vitit 2017.
Ministria e cila drejtohet nga Imet Rrahmani shprehet e vetëdijshme se do të kenë të pamundur të ndalin hovin e largimit të mjekëve nga Kosova për shkak të kushteve shumë më të mira që i ofrojnë vendet perëndimore, siç është Gjermania.
Rreziku nga rritja e numrit të mjekëve që do të mund të largohen në drejtim të vendeve të BE-së është më i madh në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave. Derisa tash, mjekët obligohen që nga distanca të sigurojnë një vend pune në Gjermani apo ndonjë vend tjetër të Shengenit, ndërsa me liberalizimin e vizave atyre mund t’u ofrohet mundësia që të shkojnë nëpër këto vende për të kërkuar punë. Liberalizimi i vizave nuk mundëson edhe leje të punës, mirëpo nëse ndonjë person e siguron një kontratë pune atëherë ai mund të kërkojë lejen e punës nga vendi në fjalë.
Analisti Belul Beqaj tha se Kosova nuk ka politika të mirëfillta ballafaquese.
“Në njërën anë kemi deficit kadrovik, ndërsa në anën tjetër suficit të kuadrove. Duke ndjekur politika shpërputhëse me tregun kemi ardhë në këtë gjendje. Këtë verë ishim dëshmitarë të protestës së specialistëve që në vend se të punonin në spitale janë punësuar në butikë apo si kamerierë”, thotë Beqaj.
Është normale, sipas tij, që në një gjendje të tillë prioritet është ekzistenca, por Kosova me politika të tilla ka shumë humbje.
“Megjithatë, humbja më e madhe është kur shkojnë jashtë të rinjtë për të cilët familja dhe shoqëria ka investuar më së shumti”, thotë ai.
Sipas Beqajt, shteti i Kosovës nuk është krijuar për të ikur shtetasit e Kosovës nga shteti i tyre.
“Çdo largim sjell në vete dëshpërimin ngase është humbje e shumëfishtë kur dalin jashtë kuadrot e gatshme sikurse të rinjtë me potenciale të pashfrytëzuara”, thotë ai.
Gjermania tërheq edhe mjekët nga Bosnja
Më shumë se një mijë mjekë, infermierë dhe kujdestarë janë duke e lënë Bosnje-Hercegovinën për të shkuar në Gjermani çdo vit, kjo ka pasoja të frikshme për shërbimin shëndetësor të Bosnjës, ka raportuar BalkanInsight në fund të vitit të kaluar.
Njësoj si Liridon Haziri edhe Selma Dzafic është një mjeke e re e cila ka përfunduar studimet e saj në Fakultetin e Mjekësisë në Tuzëll, një qytet në Bosnjën veriore.
Për të ishte më e vështirë ta gjejë një punë se sa t’i kalojë provimet e vështira të Fakultetit të Mjekësisë.
“Ishte e pamundur për të gjetur një punë pa lidhje ose paguar dikë’,’ tha për BIRN-in Dzafic.
Ajo thotë se gjysma e gjeneratës së saj nga Fakulteti i Mjekësisë tanimë janë duke punuar jashtë vendit. Më tutje thuhet se numri i punëtorëve shëndetësor të larguar për në Gjermani nga Bosnja deri më tani është shumë i lartë.
“Më shumë se 10.000 infermierë, mjekë dhe kujdestarë nga Bosnja kanë ndjekur rrugën e saj, sipas të dhënave të marra nga Agjencia Federale e Gjermanisë Punësimit”, raporton Balkan Insight
Hasan Zolic, ish drejtor i Agjencisë së Statistikave të Bosnjës dhe Hercegovinës tha se përderisa Bosnja ka përjetuar një largim të popullatës për vit të tëra është brengosëse që kjo tash përfshin punëtorët shëndetësorë.
Mjekët në Kosovë kanë moshë mesatare rreth 55 vjeç që i bie se pas disa vjetëve kur ata të jenë plakur dhe pensionuar Kosova do të ndiej pasojat e largimit të mjekëve të rinj. Ndërkohë mjekët e rinj nuk po arrijnë të kenë një vend pune nëpër institucionet shëndetësore.
Liridon Haziri, një mjek i ri, disa herë ka protestuar, kryesisht për shkak të padrejtësisë që ai pretendon se i është bërë duke mos e pranuar për të specializuar në fushën e hematologjisë, degë deficitare në Kosovë.
Në prill të vitit të kaluar, mjekët kishin dalë para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar vende pune.