Kosova rrezikon të humbë edhe këtë vit për liberalizim vizash

Në Bruksel nuk kanë dashur të komentojnë paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për heqjen e vizave pa Ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me kusht, dhe që, nëse kushti nuk përmbushet, atëherë pas një kohe të rivendoseshin vizat.

Por në mesin e diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së ekziston një dyshim se një propozim i tillë do të pranohej tash, pasi aq shpesh ky kusht është përmendur nga zyrtarët më të lartë të BE-së, shkruan sot Koha Ditore.

Diplomatët evropianë nuk duan tash të hyjnë në debate se pse ky u bë kusht, por thonë se “pasi tashmë është kusht, pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nuk do të lëvizet në çështjen e liberalizimit të vizave”.

Në anën tjetër, në BE vazhdimisht tërheqin vërejtjen se ratifikimi është njëri prej dy kushteve të papërmbushura nga Kosova, por nuk është edhe i vetmi.

Prandaj, thonë, edhe pohimet se sa të ratifikohet Marrëveshja do të bëhet liberalizimi, duhet marrë paksa me rezervë. Sepse pas kësaj do të duhej të vazhdonte procedura në Këshill dhe në Parlament, e aty ka ende disa struktura të cilat janë spektike në rastin e Kosovës.