Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe KIESA, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, ka organizuar konferencën “Ambienti i Biznesit 2017”, ku do janë prezantuar planet e Qeverisë së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.
Në këtë konferencë, kreu i ekzekutivit kosovar, Isa Mustafa, që është edhe udhëheqës i kësaj konference, ka thënë se brenda vitit në Kosovë do të hapen 25 mijë vende të reja pune.
Mustafa tha se sa i përket varfërisë, Kosova shumë shpejt do të kalojë pragun ndërkombëtar të varfërisë dhe “do të konsiderohemi si shtet me paga të mesme”, raporton Koha.net.
Ai synon që norma e papunësisë të jetë nën 20 për qind, ndërsa ka theksuar sërish se korrupsioni në Kosovë është perceptim.
“Perceptimi dhe realiteti sa i përket korrupsionit nuk janë në përputhje njëra me tjetrën. Ne korrupsionin do ta luftojmë sado që të është e mundshme. Brenda dy viteve, norma e papunësisë ka rënë nga rreth 35 për qind në 26 për qind. Për dy vjet kemi krijuar mbi 20 mijë vende pune. Po ashtu jam i bindur se papunësia është edhe më e ulët se këto shifra”, ka deklaruar Mustafa.
Në konferencë po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore si dhe një numër i madh përfaqësuesish nga komuniteti i biznesit.
Qëllimi i konferencës është zhvillimi i dialogut publiko-privat.