Politikat e dështuara kadrovike po i nxisin profesionistët kosovarë të largohen drejt vendeve ku puna e tyre vlerësohet ashtu si duhet. Kështu, shëndetësia e Kosovës po rrezikon që shumë shpejt të mbetet pa mjekë dhe infermiere, për shkak të emigrimit të tyre kryesisht në Gjermani.
Jo vetëm mjekë, por edhe shumë qytetarë të profesioneve të ndryshme po emigrojnë. Sipas një hulumtimi të mëhershëm të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, që është bërë me studentë të mjekë- sisë, mësohet se 73 për qind e të anketuarve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ikur jashtë Kosovës.
Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës( FSSHK), për gazetën “Kosova Sot”, tha se situata është alarmante. “Në mbledhjen e fundit të Sindikatave Evropiane kemi marrë të dhëna se Evropa ka nevoja të shumta për kuadro profesionale. Vetëm Gjermania në vit kërkon mbi 120.000 punëtorë shëndetësore dhe jo vetëm. Duke u nisur nga kjo, kompanitë e mëdha kërkojnë profile të ndryshme nëpër Ballkan e ku Kosova ka më shumë të rinj”, u shpreh ai. Kryesindikalisti Syla ankohet se e keqja është se politika kosovare po bëhet e shurdhër dhe e verbër karshi kësaj dukurie. “FSSHK-ja ka bërë një analizë në vitin 2013 në lidhje me migrimin e punëtorëve shëndetësorë, por tani situata është më alarmante. Nuk mund të flitet më me shifra, sepse mjekët, infermierët e të tjerët gjejnë rrugë të ndryshme për në Evropë”, shpjegoi më tej ai.
Lideri i sindikatave mjekësore, thotë se ne veç e kemi filluar që të ndjejmë mungesën e mjekëve dhe të tjerëve në spitalet tona. “Nëse kështu vazhdon qasja joserioze e politikës ndaj shëndetësisë, kam frikën se shpejt do të mbesim pa kuadro të reja. Kjo ngase, Kosova ka mangut, 4.000 deri 5.000 punëtorë shëndetësorë, në mënyrë që të kemi sistem të mirëfilltë shëndetësor”, vlerësoi ai. “Duke marrë parasysh se edhe mosha mesatare tek mjekët ka mbërritur mbi 50 vjet kalkuloni vetë se çfarë situate na pret pas dhjetë vjetëve e nëse marrim deklaratat e mjekëve dhe studentëve se ata nuk do rrinë në Kosovë, kjo është një tmerr”, ka thënë Syla.