Kosova s’ka vendosur ende ta ndihmojë Shqipërinë

Republika e Shqipërisë po përballet me një mot tejet të lig dhe shumica e qyteteve të Shqipërisë në pjesë të ndryshme janë vërshuar. Ka edhe qindra të evakuuar dhe raportohet se një person ka vdekur, si pasojë e një aksidenti të shkaktuar pikërisht nga këto kushte.

Shteti shqiptar ka angazhuar të gjithë mekanizmat për ta përballuar këtë situatë, përfshirë këtu policinë e ushtrinë.

Në këtë gjendje të jashtëzakonshme Shqipëria ende nuk ka pranuar ndonjë ndihmë nga shteti fqinj i Kosovës.

Klan Kosova ka kontaktuar me Arbër Vllahiun, zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës dhe këshilltarin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, por ai ka thënë se për këtë çështje t’i drejtohemi Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.

Nga MFSK-ja kanë treguar, përmes disa përgjigjeve me shkrim, se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga qeveria, apo ndonjë palë tjetër për të ndërmarrë masa, porse po që se u kërkohet kanë kapacitete dhe gatishmëri ta bëjnë.

“Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Qeveria e Shqipërisë, asnjë vendim për angazhim nga Qeveria e Kosovës, as  urdhër nga Presidenti i R. së Kosovës për angazhim në ndihmë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me rastin e vërshimeve si pasojë e të reshjeve atmosferike”, ka pohuar për Klan Kosovën, Remzie Zeqiraj, oficere për marrëdhënie me publikun në ministrinë e FSK-së.

“Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës konfirmon gatishmërinë për mbështetje me kapacitetet e nevojshme, po që se vendoset në organet më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të kërkesës eventuale nga Qeveria e  Republikë së Shqipërisë. Deri më tani asnjë ftesë nuk ka arritur në MFSK”.

Republika e Kosovës në të kaluarën kishte ndihmuar shtetet mike në nevojë – madje edhe pa u kërkuar fare ndihmë nga ato shtete, ose edhe kur ndihma ka qenë krejt simbolike.

Një rast është ai i ndihmës prej 100.000 eurove që Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim t’i ndante për Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Kjo kishte ndodhur kur stuhia Harvey pati goditur Houston-in në Teksas. Stuhi që kishte lënë pas shumë viktima dhe dëme materiale prej qindra miliona dollarësh.

Ndihma kishte ardhur me kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për qeverinë e Kosovës.

Kërkesë që çuditërisht ishte bërë përmes Facebook-ut.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme