Kosova, vendi ku askush nuk dëshiron të mplaket!

Nga Xhevdet Pozhari

Morali kolektiv i një populli dhe një shoqërie shpërfaqet nëpërmjet kujdesit që ai popull dhe ajo shoqëri tregojnë ndaj të pafuqishmëve dhe nevojtarëve.

Pastaj, morali i një shoqërie shpërfaqet edhe nëpërmjet asaj sa ajo kujdeset ndaj atyre që kanë shënuar të kaluarën e saj – pra, ndaj të moshuarve si dhe ndaj gjeneratave që do jenë ndërtues të së ardhmes – ndaj fëmijëve.

Në Kosovë, përmes fushatës “Dinjitet për pensionistët”, u vu në theks domosdoshmëria për ta mbrojtur dinjitetin e atyre falë të cilëve ekzistojmë ne, pensionistëve, njerëzve pa të cilët Kosova nuk do të kishte as këtë që ka sot.

 Më aksionin simbolik “Dinjitet për pensionistët”, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë u mblodhën që t’ua kujtojnë atë që ndërgjegjja kolektive e kishte arkivuar në një kënd të harresës, të kujtohen për dinjitetin e atyre që këtë tokë e kanë shpërla me djersën e vet vetëm që të mund ajo t’i ushqejë pasardhësit e tyre.

Duke mbrojtur dinjitetin e pensionistëve, të gjeneratave që flijuan thuajse çdo gjë të veten që ne pasardhësit e tyre të mund të shijojmë lirinë, që të mund ta jetojmë ëndrrën e tyre për një Kosova që do u takojë pronarëve të vërtet të saj, ne dëshmojmë se e meritojmë këtë copë lirie që kemi sot.

Duke mbrojtur dinjitetin e të moshuarve, duke u kujdesur për mirëqenien e tyre, ne në të vërtet e mbrojmë njerëzoren në vetvete dhe dëshmojmë sa jemi të vetëdijshëm se ai që nuk kujdeset për rrënjët e tij, shpejt vyshket e thahet, mbetet si degë pa trungun e vet.

Në Kosovë, në vazhdimësi janë trajtuar tema të ndryshme. Kryesisht, zgjidhjet janë ofruar për ata që e kanë pasur mundësinë që pakënaqësinë e tyre ta manifestojnë edhe me bllokimin e institucioneve. Siç është edhe rasti i grevës në arsim që paralizoi sistemin arsimor në vendin tonë.

Për dallim nga të tjerët që mund të bojkotojnë, që mund ta bllokojnë shoqërinë, pensionistët janë ajo pjesa e heshtur e shoqërisë e cila nuk mund t’i shantazhojnë as qeveritë as institucionet e shtetit.

Por, pensionistët mund të bëjnë një dëm edhe më të madh se aq: të dëshmojnë se jemi bë shoqëri që nuk kujdeset për të kaluarën e vet, që nuk është mirënjohëse ndaj atyre që ia kanë mundësuar të kemi këtë liri që e gëzojmë sot, se jemi bërë shoqëri e pamoralshme dhe që kemi harruar se njeriu sot dëshmohet nëpërmjet kujdesit e respektit që tregon ndaj paraardhësve të vet dhe sa investon në pasardhësit e tij.

Andaj, për dinjitetin dhe mirësinë e pensionistëve duhet të angazhohemi të gjithë ne që pretendojmë se jemi të dinjitetshëm dhe që themi se duam shoqëri ku mbase nuk do jemi të gjithë njësoj të lumtur, të pasur, të suksesshëm…por ku të gjithë do jemi të ndërgjegjshëm dhe sa më të kujdesshëm ndaj njëri tjetrit.

 

Pra, do jemi sa më të kujdesshëm ndaj atyre që kanë nevojë për ne, siç janë pensionistët, ndaj atyre që janë pasqyrë ku shihet morali dhe njerëzorja në ne.

E, sot, fatkeqësisht Kosova vazhdon të zbrazet nga brezat e rinj. Ata e jetojnë kalendarin e tyre jetësor dhe nuk duan të bëhen pjesë e një shteti që u merr gjithçka dhe nuk u ofron asgjë, pos ndjenjës që mund ta ketë një pensionist sot: Mos u mplaksh në Kosovë!

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme