Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka zbuluar në mbledhjen e kabinetit qeveritar se në vitin 2017 janë zbatuar vetëm 62 për qind e masave të parapara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Për vitin 2017 ky program ka paraparë zbatimin e 967 masave afatshkurta, prej të cilave 260, ose rreth 26% e tyre, kanë qenë masa legjislative, ndërsa pjesa tjetër prej 707 masave, ose rreth 74% e tyre, kanë qenë masa zbatuese”, ka thënë ajo, duke shtuar se “shkalla e përgjithshme e zbatimit të Programit është 62.05%, pasi që 600 nga 967 masat e planifikuara janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 367 masave, ose 37.95%, nuk kanë arritur të zbatohen”.
Sipas Hoxhës, sa u përket reformave legjislative “kemi arritur një shkallë zbatimi prej 38.47%, pasi që janë arritur të zbatohen 100 nga 260 masa afatshkurtra legjislative të planifikuara, ndërsa 160 prej tyre, ose 61.53%, nuk kanë arritur të zbatohen”.
“Programi ka paraparë zbatimin e 707 masave zbatuese, ndërsa në këtë nivel është arritur një shkallë zbatimi prej 70.72%, pasi që është arritur të zbatohen 500 nga 707 masat afatshkurtra të planifikuara, ndërsa 207 prej tyre, ose 29.28%, nuk kanë arritur të zbatohen”, ka shtuar ajo.
Në njoftim theksohet se Hoxha ka kërkuar që reformat kyçe të planifikuara e që nuk ishin zbatuar duhet të jenë prioritet.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale me Luksemburgun në kuadër të projektit të bashkëpunimit zhvillimor: Asistenca teknike në kontekstin e Integrimit Evropian.
Hoxha në këtë mbledhje ka paraqitur edhe gjendjen e reformave kyçe të planifikuara që nuk kanë arritur të zbatohen në kuadër të MSA-së duke theksuar se marrëveshja aktuale është nënshkruar më 7 mars 2018 në Luksemburg, pasi kishte marrë autorizim nga Presidenti.
“Kontributi i Qeverisë së Luksemburgut në financimin e projektit në bazë të granteve do të jetë në shumën maksimale prej 2.000.000 Euro (2 milion eurove), ndërsa kontributi financiar i Kosovë do të jetë në vlerën prej 100.000€”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Integrimeve.