Pas 46 ditësh nga sulmi në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, është lëshuar për qarkullim uji në këtë kanal pas riparimit të dëmeve fizike nga autoritetet kosovare, transmeton Anadolu.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se “sot edhe zyrtarisht lëshohet uji në kanalin e Ibër Lepencit, pas sulmit terrorist që ndodhi në kanal”.
“Jam i gëzuar dhe falënderues për të gjithë ata që kontribuan drejtëpërdrejt që kanali të sanohet dhe për asnjë moment qytetarët të mos mbesin pa rrymë e ujë”, theksoi Durmishi.
Autoritetet kosovare vlerësuan se rreth 400 mijë euro ishte dëmi i shkaktuar nga ky sulm, derisa dëmi i synuar ishte rreth 2,5 milionë euro.
Më 29 nëntor kanali i Ibër-Lepencit u sulmua me rreth 20 kilogramë eksploziv në muret e tij anësore duke nxjerrë rrjedhën e ujit jasht shtratit, gjë që rrezikonte furnizimin me ujë dhe energji elektrike të një pjese të Kosovës.
Krerët e institucioneve të larta në Kosovë, fajësuan direkt Serbinë për këtë sulm, megjithëse Beogradi zyrtar e mohoi një gjë të tillë.
Gjithashtu, sulmi u dënua edhe nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kanali i Ibër-Lepencit është një nga asetet me rëndësi të Kosovës. Ai furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ftohjen e termoelektranave të saj.