Kosova dhe Serbia duhet ta tejkalojnë fazën e zisë dhe ta marrin përgjegjësinë për ato që kanë ndodhur në të kaluarën.
Serbia t’i pranojë krimet që ka bërë kundër shqiptarëve, ndërkaq Kosova ta pranojë përgjegjësinë për persekutimin e serbëve pas luftës.
Kështu është thënë në panelin “Karota dhe shkopinj- Kushtëzimi Evropian në realitetin politik në Evropën Juglindore”, që është organizuar në kuadër të serisë së samiteve për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë.
Veton Surroi, publicist dhe themelues i “Kohës Ditore”, ka thënë se problemi më i madh në raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë targat e automjeteve, por si t’i qasemi së kaluarës.
“Jo duke akuzuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar një narracion apo tregim të përbashkët. Ne nuk merremi me këtë, pasi kemi çështje që e kufizojnë jetën politike – i kemi Gjykatën Speciale, Marrëveshjen e Brukselit. Nuk mund të flasin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa folur për raportet mes komunitetit serb dhe shqiptar”, ka thënë Surroi. “Shoqëritë duhet të kalojnë procesin e zisë, ta racionalizojnë vdekjen dhe të kalojnë në fazën tjetër. Pra, kur dikush ka humbur jetën, duke kuptuar që kjo ka ndodhur. Nëse filloni të vajtoni, atëherë futeni në një periudhë kur nuk mund ta përballoni atë humbje”.
Surroi ka shtuar se në vitin 1968 në Gjermani ekzistonte një lëvizje, që thoshte se Gjermania duhet të merrte përgjegjësitë për ato që kishte shkaktuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, tani jemi në fazën kur Serbia duhet ta bëjë një gjë të tillë.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, ka thënë se është fantazma e së kaluarës ajo që vështirëson rrugëtimin e Ballkanit drejt së ardhmes.