Rezultatet e testit “Pisa 2015” ishin jo të kënaqshme për Kosovën. Renditja e Kosovës në vendet e fundit sa i përket cilësisë së arsimit ngjalli debate që arsimi ka nevojë për reformë.
Për të pas mundësi që të përgatiten më shumë për testimin e ardhshëm Minisitria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka kërkuar që testimi të shtyhet për në vitin 2019.
Ministri Shyqyri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se kërkesa për shtyrjen e mbajtjes së testit është refuzuar.
“Unë kam bërë një kërkesë direkt në PISA që testi të shtyhet për vitin 2019 që të mos mbahet në vitin 2018, me idenë e vetme që të kemi hapësirë dhe mundësi të përgatiten më mirë për një vit, kemi marrë përgjigje negative dhe na kanë kërkuar ose të tërhiqemi nga testi për vitin 2018 deri në vitin 2021 ose nuk ka shtyrje për një vit dhe ne nuk kemi mundur të jemi të gatshëm të tërhiqemi”, tha ai.
Bytyqi theksoi se për të ndryshuar sistemin e arsimit dhe të kemi rezultat të kënaqshëm MAShT-i ka themeluar një komision të veçantë për përgatitjen e nxënëseve.
“Nga viti 2015 deri më tani është bërë një përpjekje, por jo ajo përpjekje e duhur që të merren masa konkrete që në testin e ardhshëm të rezultojë më mirë sesa që kemi qenë. Hapin e parë që kam bërë tani është formimi i një komisioni të ri për testin ‘Pisa’ që në fakt ka qenë një komision paraprak që për mua ka qenë inekzistent”.
Sipas Bytyqit komisioni do të mbajnë dy teste për të gjitha shkollat e vendit në mënyrë që nxënësit të familjarizohen me mënyrën e testimit.
Testi i “PISA” është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm.
Ai në vitin 2015, ka dëshmuar se Kosova është në nivelet më të ulëta të mundshme në arsim.
Testi “PISA 2015” është fokusuar në shkencë, me leximin, matematiken dhe zgjidhjen bashkëpunuese të problemeve si fusha minore të vlerësimit.
Përafërsisht 540.000 nxënës kanë marrë pjesë në testim, duke i përfaqësuar rreth 29 milionë nxënës të moshës 15-vjeçare nga shkollat e 72 vendeve pjesëmarrëse.
Më keq se Kosova ishin renditur vetëm Algjeria dhe Republika Dominikane, ndërkohë Singapori ishte i pari.