Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi të mërkurën raportin për Kosovën, duke u hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë Këshill. Për këtë ka reaguar në platformën “X”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përcjell Reporteri.net.
Kurti ka thënë se ky është një hap shumë i rëndësishëm, duke treguar se opinionin e sotëm do ta hedh në votim Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës
“Sot Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë një hap të rëndësishëm përpara për Kosovën. Opinioni konfirmon përmbushjen e të gjitha parakushteve të anëtarësimit nga ana e Kosovës dhe rekomandon t’i bëhet ftesë Kosovës që t’i bashkohet Këshillit të Evropës si si shtet anëtar. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë Opinionin në prill”, ka shkruar Kurti.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.
Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në njoftimin e Komitetit pas takimit të 27 marsit u tha se ai duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit për Kosovën” që do të ndihmonte të sigurojë mbrojtje për të drejtat e serbëve në Kosovë, dhe sa i përket shpronësimit të pronave në veri, Komiteti tha se ato duhet të kryhen “duke respektuar ligjin” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit.
Duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”, duke i bërë thirrje Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa “paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.
Cilat janë procedurat e mëtejme?
Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.
Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.