KOSTA NAKE: Romani “Shpërngulja e të vdekurve” i Kim Mehmetit, kritikë

PIKA PIKËLLIMI NË ILIRIDËN E HUMBUR

Mbi varrin e Shekspirit midis të tjerash janë edhe këto dy vargje:
“Bekuar qoftë njeriu që këta gurë i kursen,
Mallkuar qoftë ai që kockat m’i rrëmben.”

 

Me thelb të njëjtë, por në kontekst të ndryshëm historik, edhe romani “Shpërngulja e të vdekurve” merret me kockat, jo për të marrë një copëz nga lavdia e dikujt, por për të ruajtur identitetin kombëtar. Përdorimi i toponimeve, viteve dhe inkuadrimi i të vërtetave historike më futi në një grackë nga ku dola fare rastësisht kur vura re se vendlindja e rrëfimtarit ishte Suka kurse e shkrimtarit Gërçeci. Kjo gjë përmbysi edhe raportin mes reales dhe trillit dhe i bëri magjitë dhe legjendat lehtësisht të përtypshme. Duke pasqyruar zhvendosjen e një fshati nga Shkreta e Rekës së Epërme në Sukë shkrimtari jo vetëm ka sjellë fatin e pikëllimtë të një pjese të kombit shqiptar dhe trojeve të tij, por e ka kthyer atë në një thirrje të fuqishme për të rikuperuar gabimet e së shkuarës. Shqiptarët nuk janë endacakë, ata shquhen për lidhjet e forta me rrënjët nga fillon e ushqehet vitaliteti i tyre, ata kanë ruajtur të gjallë një nga gjuhët më të vjetra të Europës, ata janë autoktonët që i mbijetuan përpjekjeve për asimilim ose dëbim. Duke u ndalur edhe pak në këtë kuadër të përgjithshëm historik dhe atdhetar të veprës nuk mund të mos bashkohemi me dhembjen e autorit për Iliridën e humbur prej Mollës së Kuqe te Dibra e Madhe dhe për kryeqytetin e mohuar shqiptar të Shkupit, i cili vetëm pak më shumë se një shekull ishte vendi ku gëlonte shqipja dhe zotëronin shqiptarët. Ndalesa e parë hipotetike: Po sikur të ishte bërë? Do të ishim fatlumë se mund të ishim bashkuar të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm. Por mund të ishim edhe fatkeqë se, duke u pushtuar nga serbët apo bullgarët, mund të ishte fshirë përfundimisht gjuha dhe kombësia shqiptare.

 

Rrëfimtari sjell historinë e një familjeje në tre breza që ka dhënë ndihmesën e vet për qëndresën ndaj synimeve asimiluese dhe për mbajtjen gjallë të flakës atdhetare. Nuk më duket shumë bindës gjyshi që kthehet nga Damasku dhe ndjehet bosh që nuk arriti në kohë për të qenë pjesë e dërgatës shqiptare të Shkupit, por më tingëllon natyrshëm qasja atdhetare e babait kur guxon të ngrihet mbi çallmën e hoxhës në vitin 1960, në Duqanxhikun e Shkupit, ku ishin mbledhur hoxhallarët e njohur të Shkupit e Kumanovës për të diskutuar për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Hoxhë Dema, duke qenë më shumë atdhetar se klerik, ka guximin të deklarohet kundër shpërnguljes: “Ne merremi me murimin e urës që bashkon bregun e lindjes me atë të vdekjes, por ç’vlen ajo urë nëse brigjet ku do vdesim, nuk do kenë shenjën e bregut ku kemi lindur.” (f.88.) “Ajo urë duhet gozhduar me mbrojtjen e qumështit të nënës dhe të dheut ku ke lindur… Unë jam i gatshëm të mëkatoj, nëse kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar popullin tim.” (f.89) Fill pas kësaj vjen ndërhyrja mbështetëse e hafëz Idrizit: “Feja pa komb dhe kombi pa besimtarë, është si lumi pa ujë.” (po aty). Edhe pse përmendet thjesht si fakt, qëndrimi i Demës një muaj në Kosovë gjatë kohës së luftës që zhvillohej atje, i shërben pasurimit të jetëshkrimit të tij atdhetar.

 

Atdheu fillon nga familja, ushqehet dhe mbështetet prej saj, rritet në përmasa të reja kur del nga familja e bashkohet me fshatin, del nga fshati e bashkohet me vendlindjen e madhe. Ja pse amaneti i gjyshes për rrëfimtarin është edhe mesazhi i madh që u përcillet me po aq patos edhe gjeneratave të reja sot, pasi lëvizjet demografike kanë marrë përmasa të tilla që, siç shkruan autori: “…shtohet numri i kullave të mbetura shkretë.” (149)

 

Historia shqiptare personifikohet me figurën e gjyshes së rrëfimtarit dhe ka arritur të krijojë modelet shqiptare aq të ngjashëm me Hoze Arkadion, Ursulën dhe fshatin Makondo të Markezit. Duket paradoksale, por është e vërtetë, se gruaja shqiptare ka luajtur një rol përcaktues në fatet e kombit tonë, edhe pse mjedisi shoqëror ishte tepër patriarkal. Sikur të mos mjaftonte gjyshja, autori ka shkuar edhe më tej me një tjetër figurë të spikatur si Fatushja që zbret në Jug deri në Çamëri për të zbuluar thesarin e mbetur atje pas dëbimit të çamëve për të riparuar shtëpinë ku u mblodh Kongresi i Manastirit dhe kullën e Faik Konicës. Reciprokisht nënës së rrëfimtarit i vijnë nga Parga dy breshka që do ndërprisnin magjinë e vdekjeve, plotësuar me breshkat e sjella nga Sanxhaku, pas të cilit përvijohet harta e trojeve ilirike.

 

Ka një simbol mbi të cilin endet rrjeta e origjinës së lashtë të një fshati: varret e sjella nga Reka e Epërme, qoftë edhe me një pjesë të kockave. Ka dhe një kufi kohor të përafërt kur fillon e lëviz gjithçka: atëherë kur katragjyshja Lefkë të premten pastronte xhaminë, të shtunën kishën, pra atëherë kur pati filluar konvertimi vullnetar ose i sponsorizuar.
Magjia, bestytnia dhe legjenda vërtiten rreth breshkave dhe zhguajve të tyre. Meqë Ilirida nuk kishte dalje në det, bestytnitë trazuar me shkencë i atribuohen breshkave të tokës: gjaku i breshkës, i përzier me çaj prej gjethe ftoi, shuan mallin dhe qetëson shpirtin; zhgualli i breshkës mbron kullën nga magjitë dhe xhindet; për një javë, shtatë herë në ditë, po thithe ajër nga zhgualli i breshkës me rreth jeshil, shërohesh nga astma.
Mjedisi magjik i Sukës vjen si refren me numrin shtatë si pasqyrë e besimit islam. “A nuk e keni parë se si Allahu krijoi shtatë palë qiej (në kate).” (Nuh, 15) Mbreti tha: “Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme dhe shtatë lopë të dobëta… dhe shtatë kallinj të gjelbër e (shtatë) të tjerë të tharë…” (Jusuf, 43) “Ai (xhehenemi) i ka shtatë dyer…” (el Hixhr, 43-44) “Kush i ha shtatë hurme, nuk e godet atë ditë e keqja e as sihri…”

 

Në inventarin e skenave ku realja shkon në kufijtë e legjendës, vlen të veçohet skena e dasmës së Demës ku kali i nuses kërkon të futet te oborri i kullës së Fatushes, fillimi i këndim-dënesjes së Fatushes dhe hedhja nga çardaku e shamisë së bardhë qëndisur me lule të kuqe dhe e lagur me lotët e saj që mbetet e varur te degët e ftoit, nëna e Demës që shkon e merr dhe futet në valle. Skena tjetër është ajo e varrit të Zenit me shtatë zhguaj të gozhduar me nga një potkua, me nga një pikë të zezë që tregonte në cilën govatë ndodhej gjaku i tyre. Skena e radhës është varrimi i Fatushes në Shkretë të Rekës së Epërme nëpër një shi të rrëpishëm dhe mbledhja e breshkave të gjalla rreth varrit. Skena e fundit lidhet sërish me breshkat, mënyrën e sigurimit të numrit të nevojshëm nga Parga e Çamërisë dhe Pazari i Ri i Sanxhakut ku fiset shqiptare kishin harruar gjuhën e qumështit të nënës.

 

Ka edhe një veçori markeziane rrëfimi në këtë vepër me rrethanat dhe karakteret që rimerren disa herë duke hedhur dritë mbi hijet e së kaluarës. Është gjyshja me rrëfimin e saj që ngre siparin e veprës, madje i jep edhe emrin e vet kapitullit të parë. Në kapitullin e tretë ajo nuk jeton më, por rrëfimet e saj marrin përmasat e kumtit. Do të rishfaqet në kapitullit e shtatë dhe të fundit, këtë herë në ëndrrat e rrëfimtarit me kërkesën domethënëse për t’u rivarrosur në Rekën e Epërme, si pjesë e “një dukurie thuajse çmendurake që përfshiu të gjithë fshatarët” (f.147), “si pre e magjisë kolektive.” (f.148) Ajo do të bëhet pjesë e kujtimeve të rrëfimtarit i cili kishte fjetur me të edhe natën e fundit duke frymëmarrë grahmën e fundit të saj si simbol të një lidhjeje që nuk mund të ndërpritet kurrë.

 

Në se gjyshja vjen në vepër si zëdhënëse e historisë, Fatushja plotëson botën magjike të dashurisë së thellë e të pamposhtur. Vrasja e vëllait Zeni, mbështjellë me enigmë nga aparati shtetëror, e çon atë në një vendimmarrje të vështirë: prishjen e fejesës me Demën shumë pak kohë para dasmës. Që pikëllimi i saj të mos mbartet në kullat e tjera ajo kërkon që Samimija, e fejuara e Zenit, të bëhet gruaja e Demës dhe ia del. : “Unë do ta jetoj dhembjen e të gjithëve, e Dema e bija jote le të mbjellin lulishte në mes të asaj dhembjeje!” (f.102)

 

Por dita e dasmës ishte një dramë për Fatushen që shkon te varrë i të vëllait ku gjen shtatë zhguaj breshkash dhe i godet ato me një purtekë thane nën dhomën e gjerdekut. Fillon që këtu një dashuri sysh prej çardakëve të dy kullave që janë pranë dhe do ta ndërpresë vetëm vdekja e Demës, e pasuar shpejt edhe nga vdekja e Fatushes. Këtë lidhje të jashtëzakonshme autori e sjell në trajtë e një ding-dongu dymbëdhjetëorësh: “betimet që ia kishin dhënë njëri-tjetrit, çastet që mbetën në të kaluarën, ankthi i pritjes, shpresat që sjell e nesërmja, pakuptimësia e kohës së jetuar larg vetëm duke shikuar njëri-tjetrin nga çardakët e kullave, takimndarjet e shikimit të tyre, kurora e stolisur me lotderdhje, shpresat se një ditë do të jenë përjetësisht së bashku, malli përvëlues që vazhdonte t’i linte të terura buzët e saj, lutjet e saj për lumturinë e tij, ecja drejt fundit, përjetësia së cilës i besonin të dy.” (f.111)

 

Brenda këtyre viteve gruarimi dhe burrërimi të mundimshëm të Fatushes ka dy dy pika kulmore: kryeplaku Lati, i mbetur vejan, i qepet Fatushes, madje e kërcënon “Ti e di se mund t’ia bëj sherrin edhe ndryshe.” (f.115) Këtë e zgjidh Dema duke u veshur si vajzë dhe duke i lënë takim në Pyllin e Vakëfit ku dhe e vret me sëpatë. Të njëjtën gjë bën vetë Fatushja kur mëtues të shtatit të saj bëhen dy aktivistë komunistë, të cilët i fton të shkojnë jashtë fshatit dhe i vret me revole. Ilustrohet kështu ajo që thotë Aleksander Smith: “Rruga e çdo njeriu në jetë shënohet me varret e dëshirave të veta.”

 

Ngjyrat e rrëfimit të Kim Mehmetit pasurohet me rrafshin politik. Gjyshi merr vendimin e dhimshëm ta largojë nga kulla njërin nga djemtë, Sylën, një ndarje që rimerret disa herë duke sjellë shkaqe të ndryshme: dashuria e tij me një vajzë nga një fshat tjetër që është serbe, por që në origjinë dilte se kishte rrjedhur nga katërgjyshja Lefkë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjyshi bëri një lojë të zgjuar me dy porta: Demën e dërgoi në veri të bashkohej me gjermanët, kurse Sylën drejt Gjakovës të bashkohej me partizanët, të dy larg vendlindjes që ta kishin më të lehtë për të fshehur bëmat luftarake. Pastaj konkluzioni i hidhur që del edhe jashtë kufijve të një fshati e krahine: “Sukjanët thuajse gjithmonë kishin luftuar në anën e gabuar dhe ishin vrarë nëpër luftrat e të tjerëve, pa bërë asnjë luftë për vetveten.” (f.53)

 

Në Jugosllavinë titiste, duke qenë në anën e fitimtarëve, Syla u vendos në Beograd, u bë komunist dhe pozita e tij politike e shpëtoi Demën nga burgu kur i tejkaloi kufijtë angazhimit fetar. Duke qenë bashkëpunëtor i pushtuesve gjermanë, edhe pse i ndihmoi hebrejtë në kampet e punës, ai e mbajti të fshehtë këtë copëz të jetës.

 

Në një rrafsh më të gjerë lufta politike zhvillohet te Varret pa Kufoma: forcat serbe duan t’i fshijnë gjurmët e së kaluarës shqiptare duke i lëruar varret. Një popull pa varre është një bashkësi pa kujtesën e domosdoshme. Siç shkruan Harriet Beecher Stowe: “Lotët më të hidhur që derdhen mbi varre janë për fjalët që mbetën pa thënë dhe punët që mbetën pa bërë.”

 

Në përmasa të mëdha dhe asgjësuese, duke luajtur me besimin, në vitin 1960 politika serbe filloi dëbimin fetar të shqiptarëve në Turqi.

 

Në rrafshin e ngushtë vetjak, ka dy deklarata të forta politike të rrëfimtarit që mund të jetë dhe autori: e para, më e guximshmja, që rrallë e dëgjon: “Kam qenë një komunist i devotshëm dhe aq besnik sa nuk rreshta së binduri tim atë që të ketë kujdes e të mos e përdorë fenë për të penguar revolucionin socialist.” (f.73) “Më rrëmbeu vala e vrullshme e ideologjisë komuniste.” (f.76) Deklarata e dytë: Ruaj të gjithë librat fetarë të babait, njësoj si kompletet e veprave të Titos, Enverit dhe Leninit.

 

Ngjyra e katërt e veprës është ajo religjioze e sendërtuar mbi Kuranin dhe mbrojtjen e tij. Ishte një kopje e shkruar me dorë dhe që ishte sjellë nga Reka e Epërme si dëshmi e rrënjëve të vendlindjes. Për ta mbrojtur nga sekustrimi dhe asgjësimi serb në vitin 1958 hoxhë Dema vjen ilegalisht në Shqipëri dhe ia beson at Nikollës në Elbasan, por edhe këtu ishte një variant i pushtetit komunist, i ftohtë ndaj fesë dhe nuk kishte më asnjë siguri. Lufta kundër fesë depërtoi edhe brenda në familje: “Dy brigje të largëta ku qëndronim unë dhe im atë: bregu im ideologjik, ku valëvitej flamuri i burimit të lumturisë njerëzore; i babait ku kishin bujtinë shpresat për shpërblimin që do të merrnin në botën e pasvdekjes.”
Edhe pse romani ka mjaft nota pikëllimi, ai përshkohet nga mesazhe që të bëjnë të ndalosh, të meditosh dhe të reflektosh: “Jemi bërë të pandjeshëm ndaj mjerimit të fqinjit… Kur më flasin për bëmat e të tjerëve në anët tona, i ndjej të largët e të huaj.” (f.54) Dhembja dhe pikëllimi janë njësitë më të sakta matëse për të përcaktuar dimensionin e saktë të aftësisë sonë për të dalë përtej mjegullës së vuajtjeve.

 

“Ia vlen të mbash gjallë iluzionin se kjo botë një ditë do të ketë shenjë njohëse vetëm mirësinë… duhet mbajtur gjallë besimi se në këtë botë ka një sy që i sheh të gjitha bëmat njerëzore, një vesh që i dëgjon edhe të heshturat e njerëzve,… se është diku një bibliotekë e madhe e padukshme ku ruhen të shënuara të gjitha bëmat e atyre që ishin e nuk janë më.” (f.61)

 

Dhe ja ku mbërrijmë te përmbyllja gogoliane: “Çdo njeri është një guacë e mbyllur, me margaritarin e vockël e të ndritshëm brenda vetes, margaritar i përbërë nga mbeturinat e qindra ëndrrave e dëshirave që i ka shtrydhur dora e pamëshirshme e fatit jetësor, margaritar të ngjeshur nga realja, ajo që kemi përjetuar, por të pjekur në furrën e areales – të asaj që kemi ëndërruar.” (f.161)

Durrës, 9 -10 gusht 2023

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme