Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka përgëzuar kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për, sipas tij, guximin dhe vizionin e tyre, si dhe i ka uruar qytetarët e të dyja vendeve në rrugëtimin drejt BE-së.
“Jam krenar të pres, në emër të qytetarëve tanë, me ekipin tim, procesin negociues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e tyre dhe u uroj përparim dhe sukses të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.
Sipas tij, paqja, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik janë parakushtet kryesore për përparimin e përshpejtuar të të gjithë Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Ai tha se ndihet krenar dhe i nderuar që si vend e kanë pritur “këtë dialog të rëndësishëm për rajonin dhe Maqedonia e Veriut është një shembull i shkëlqyer se si një vend i robëruar dhe i izoluar është faktor stabiliteti sot”.