Gazetar: Adrian Kerimi
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se pjesëmarrja e opozitës në Qeveri teknike është e domosdoshme dhe opsion alternativ nuk guxon të mendohet. Kovaçevski tha se takim me Hristijan Mickoskin do të ketë, por pa precizuar vendin dhe datën. LSDM-ja caktoi kabinetin teknik para se të zhvillohej takimi Kovçaevski-Mickoski i cili ishte paralajmëruar që në fillim të muajit dhjetor.
“Është obligim ligjor. Sikur mua të më pyesni a do të jepni dorëheqjen 100 ditë para Qeverisë teknike, e unë të them jo do ta jap 96 para saj. Ajo përbën shkelje ligji. Mendoj se të gjitha partitë politike sipas ligjit për Qeverinë dhe Kodin Zgjedhor duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre me qëllim që në procesin zgjedhor të mos mbetet asnjë njollë”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
LSDM-ja mbrëmë në mbledhje të Komitetit Qendror përcaktoi emrat të cilët do të përfaqësojnë socialdemokratët në resorët që pasojë ndryshime në karakterin teknik të Qeverisë.
“Referuar statutit të partisë, propozimet tona për ministra, zëvendësministra dhe zëvendësministra plotësues në MPB dhe Punë dhe Politikë Sociale ashtu siç kërkojnë dispozitat për Qeverinë teknike”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Në MPB, resor me të cilin do të udhëheq kuadër i opozitës për 100 ditë, LSDM-ja për zëvendësministër plotësues ka përcaktuar Mitko Bojmaçalievin, aktualisht shef i kabinetit të ministrit Oliver Spasovski. Zëvendësministre plotësuese në Punë dhe Politikë Sociale do të jetë ministrja aktuale, Jovana Trençevska, ndërsa në pozitat tjera nuk janë bërë ndryshime, gjegjësisht mbeten kuadrot e njëjta si ministra dhe zëvendësministra. Për caktimin e kandidatit për president, LSDM-ja ka vendosur që të thërras kongres, ndërsa më pas do të ketë edhe një kongres tjetër në të cilin do të caktohen kandidatët për deputet nga lista e LSDM-së për zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024. /Alsat.mk