Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje të premten, ku do të prezantohet raporti për verifikimin e peticioneve të pranuara nga kuvendet komunale në katër komunat veriore.
Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili theksoi se mbledhja do të mbahet nga ora 13:30.
“Mund t’ua konfirmoj se të premten, më 8 mars 2024, Komsioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është planifikuar të prezantohet raporti lidhur me verifikimin e peticioneve të pranuara nga kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë sot se zgjedhjet për kryetarët e rinj në katër komunat veriore të Republikës, pritet të mbahen së shpejti.