Pas përmbylljes së suksesshme të procesit të votimit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore.
Këtë e ka bërë të ditur pë Klan Kosovën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se deri më tani, materiali i ndjeshëm zgjedhor është pranuar nga pjesa më e madhe e këtyre komunave.
“Pas pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor, sipas procedurave, është duke u bërë edhe skanimi i Listës Përfundimtare të Votuesve e cila është përdorur në Vendvotime si dhe do të bëhet skanimi i Formularëve të Rezultateve të krijuara në Vendvotim. Pas kësaj, sikurse në në kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë në web-faqe kopjet e skanuara të këtyre formularëve, me qëllim që kandidatët dhe qytetarët të mund të shohin rezultatin e secilit Vendvotim”, ka thënë Elezi.
Ndërsa sa i përket numërimit të votave me kusht, KQZ- ja nuk ka bërë të ditur datën e saktë se kur do të përfundojë ky proces.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të transparencës do të njoftojë me kohë mediat dhe vëzhguesit për fillimin e numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës – në mënyrë që të mund ta përcjellin nga afër këtë proces.
Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së Rezultateve Përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Parteshit”, ka deklaruar Elezi.