Komisioni Qendror i Zgjedhje pritet që t’i shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave të mërkurën. Përkundër paralajmërimeve që shpallja e rezultateve të bëhet të hënën, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ishin disa arsye tjera që ndikuan në shtyrje edhe për dy ditë, shkruan REL.
“Ka qenë planifikuar që shpallja e rezultateve të bëhet sot, pra të hënën, por kjo shpallje është shtyrë për të mërkurën, ngase në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë paraqitur disa ankesa, një në komunën e Istogut dhe tjetra në atë të Kllokotit dhe se KQZ do të pres përgjigjet nga ky institucion lidhur me këto ankesa”, ka thënë Elezi.
“Po ashtu, dihet që të martën, është 28 Nëntori, dhe si ditë feste, është ditë pushimi dhe nëse do t’i shpallnim sot rezultatet, afati i ankesave do të binte në ditë feste. Kështu që nëse do të kërkohej ndonjë përgjigje nga ndonjë subjekt lidhur me ndonjë ankesë të mundshme, do të kishte prolongime”, tha Elezi.
“Pra, ideja është që të gjithë ta kenë mundësinë dhe hapësirën e mjaftueshme për të paraqitur ankesat e tyre, sepse e dimë që pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja subjektet politike, kandidatët mund t’i paraqesin ankesat e tyre në lidhje me këto rezultate”, tha tutje, zëdhënësi Elezi.