Tregtia online po shndërrohet një instrument të zakonshëm në rutinën e blerjeve kudo në botë, por Shqipëria mbetet pas në këtë tregues për shkak të njohurive të dobëta në teknologji dhe mungesës së infrastrukturës që siguron akses të lehtë.
Një krahasim i Eurostat tregoi se, me shumë se 50 për qind e popullsisë në Shqipëri nuk kishin blerë asnjëherë online gjatë vitit 2022. Ky ishte niveli më i lartë në Europë, ku vetëm një e gjashta e popullsisë së BE-së raportoi se, nuk kishin blerë kurrë online.
Në vitin 2022, rreth 56,1 % e njerëzve të moshës 16-74 vjeç në BE konfirmuan se kishin bërë një blerje online gjatë tre muajve të mëparshëm. Në Shqipëri vetëm 24 për qind konfirmuan se kishin bërë blerjen në 12 muajt e fundit në anketën e vitit 2022.
Relativisht pak njerëz përdorin në mënyrë të rregullt tregtinë elektronike. Në të gjithë BE-në, rreth 17.2 % e njerëzve të moshës 16-74 vjeç kanë bërë blerje online në internet nga shitësit në shtetet e tjera anëtare të BE-së gjatë tre muajt para anketës 2022. Kjo shifër ishte 1.0 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë.
Blerjet online ishin më të zakonshme për moshat e reja. Siç shihet edhe nga harta bashkëngjitur blerjet online janë më të zakonshme për Europën Qendrore dhe Veriore, ndërsa në Europën Juglindore dhe Turqi, blerjet online nuk janë të zakonshme.
Në të kundërt Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Irlanda mbi 95 % e popullsisë 16-74 vjeç kishin kryer blerje online.
Përdorimi i internetit për blerje u popullarizua shumë pas pandemisë Covid-19 kudo në Europë, por edhe në Shqipëri. Masat kufizuese nxitën njerëzit të plotësojnë nevojat për mallra online. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri pati rritje të blerjeve online, çka nxiti përdorimin e teknologjisë edhe në shitjet me pakicë.
Shqipëria renditet si një vend inovator në zhvillim me një rankim 41,7 % krahasuar me mesataren e BE-së. Grupi i parë: Inovator Lider përfshin shtete me performancë mbi 125% të mesatares së BE-së. Në këtë grup përfshihen: Belgjika, Danimarkë, Finlandë, Holandë dhe Suedi.
Grupi i dytë: Inovator të Fortë përfshin shtete me performancë midis 100% -125% të mesatares së BE-së. Në këtë grup përfshihen: Austri, Qipro, Estoni, Francë, Gjermani, Irlandë dhe Luksemburg.
Grupi i tretë: Inovator të Moderuar përfshin shtete me performancë midis 70% -100% të mesatares së BE-së. Në këtë grup përfshihen: Çeki, Greqi, Itali, Lituani, Maltë, Portugali, Slloveni dhe Spanjë. Grupi i katërt: Inovator në Zhvillim përfshin shtete me performancë më të ulët se 70% të mesatares së BE-së. Në këtë grup përfshihen: Bulgari, Kroaci, Hungari, Letoni, Poloni, Rumani, Shqipëri dhe Sllovaki. /Monitor