Ish-kryekuvendari dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, dialogun me Serbinë po e sheh si të pakuptimtë. Sipas tij, dialogu nuk do të duhet të fillonte sepse Kosovën nuk e ka obliguar askush dhe nuk ka pasur nevojë për bisedime politike.
“Unë vazhdimisht kam qenë kundër dialogut politik edhe para se të fillonte, edhe duke qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, kam qenë i bindur që Kosova nuk ka nevojë dhe askush nuk na ka obliguar për bisedime politike, kemi pas nevojë të bisedojmë bisedime politike me mbikëqyrjen e Brukselit sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha që Pavarësia e Kosovës bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, do të thotë ne nuk kemi pas nevojë për bisedime, kështu që mandej këto bisedime politike janë zhvilluar mes dy palëve jo të barabarta”.
Krasniqi thotë se bisedimet duhet të reformatizohen por për vazhdim te dialogut dy palësh, ish kreu i Kuvendit apelon për konsensus nacional, raporton Ekonomia Online.
“Kosova nuk ka biseduar si shtet dhe kjo nuk është dashtë të ndodhë dhe çka është më e dhimbshme këto marrëveshje që janë bërë mes dy palëve janë të parealizueshme dhe Serbia në ato bisedime ka pas obligime mos me pengu anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë dhe ajo në të kundërtën do të thotë të gjitha këto realisht janë dëshmi që bisedimet duhet të reformatizohen dhe bisedimet politike nuk do duhej të bëheshin pa një konsensus nacional, duhet konsensusi nacional, marrja vesh për çka do të bisedohet, dhe si do të bisedohet dhe pastaj të zhvillohen këto bisedime politike”.
Sipas tij, institucione e vendit nuk ushtrojnë funksionin e tyre në koordinim me ligjet dhe nuk janë në shërbim të qytetarëve të vendit.
“Sistemi i drejtësisë len për të dëshiruar shumë dhe ky mosfunksionim i sistemit të drejtësisë ka bërë që Kosova mos të ketë sovranitet në sistemin e drejtësisë dhe kur them këtë kam parasysh krijimin e Gjykatës Speciale. Po duhet ta dimë janë 10 vjet, janë edhe përvoja jo e mirë e jetës institucionale të njerëzve që vrapojnë të marrin përgjegjësi pa qenë të përgatitur për to, janë paaftësia e njerëzve për të qeverisur dhe mungesa e vullnetit për të bërë shënime të mira për shtetin dhe qytetarët”.
Krasniqi mendon se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë detyrat dhe obligimet që i ka të caktuara nga Bashkimi Evropian, për ta arritur liberalizimin e vizave.
“Unë mendoj që duhet t’i kryejmë detyrat tona jo pse po e kërkon BE, po pse kemi marrë obligim të punojmë për qytetarët e Kosovës, se kemi marrë obligim të ndërtojmë institucione të shtetit që funksionojnë mbi bazën e ligjeve, se kemi përgjegjësi që ta kemi ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e tyre sipas ligjeve”, shtoi ai.
“Unë e di që dikush mund të mos ta kuptojë këtë, unë jam i bindur që institucionet e shtetit duhet ta kenë një bashkëpunim më të madh sesa që e kanë, po funksionimi i tyre duhet të jetë i pavarur mbi bazën e ligjit që e kanë, se nuk mund të krijojmë na shtete të pavarura, çdo institucion i pavarur po ne duhet të kemi institucione funksionale të shtetit që kanë vullnet për të ndryshuar gjërat dhe këto gjëra nuk ndryshohen pa funksionimin e secilit institucion mbi bazën e ligjeve, se nganjëherë kjo nuk kuptohet drejt se çdo institucion i pavarur nuk mund me qenë të shkëputura institucionet e Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të lidhura por funksionimi i tyre duhet të bëhet mbi bazën e ligjeve”.
Sipas Krasniqit, punët kryesore të Qeverisë së Kosovës janë: sundimi dhe rendi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, krijimi i lehtësive për biznese dhe investim, punësimi i njerëzve dhe arsimi cilësor.
“Sundimi dhe rendi i ligjit është një nga detyrat më të mëdha që e ka Kosova, lufta kundër krimit dhe korrupsionit që nuk është në masën e duhur, krijimi i lehtësive për biznese dhe investim, punësimi i njerëzve, një arsim cilësor dhe në shërbim të zhvillimit, këto janë punët kryesore të Qeverisë dhe jam i bindur se këto fusha që i ceka të kishte një vullnet politik nga të gjitha partitë politike në Kosovë, rruga e integrimeve të Kosovës në Bashkimin Evropian do të ishte më e shkurtër sesa që është”.